Ilir Shaqiri & Shkurte Fejza sjellin këngën kushtuar dëshmorit Azem Behluli

20.05.2022

Yjet e këngës, i ka bërë bashkë për të treten herë një këngë dedikuar Heroit të Kosovës, Azem Behluli. Azemi iu bashkua radhëve të UÇK-së në fshatin Maçitevë, në Kompaninë III të Batalionit II të Brigadës 123 të Zonës Operative të Pashtrikut. Që nga 23 marsi i vitit 1999, sidomos pas sulmeve të NATO-s mbi […]

Ilir Shaqiri & Shkurte Fejza sjellin këngën kushtuar dëshmorit Azem Behluli Foto: Ilustrim

Yjet e këngës, i ka bërë bashkë për të treten herë një këngë dedikuar Heroit të Kosovës, Azem Behluli.

Azemi iu bashkua radhëve të UÇK-së në fshatin Maçitevë, në Kompaninë III të Batalionit II të Brigadës 123 të Zonës Operative të Pashtrikut.

Që nga 23 marsi i vitit 1999, sidomos pas sulmeve të NATO-s mbi caqet e ushtrisë e të policisë serbe, forcat serbe fillojnë një ofensivë në shkallë të gjerë kundër pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përballjet e UÇK-së me forcat armike në drejtim të këtij fshati fillonin nga Brezovica e Shtërpca, nga Varret e Krushqve mbi Biti, nga Guri i Dellocit, nga Bjeshka e Bukoshit dhe nga Padeshi. Ushtarët e UÇK-së mbronin pozicionet përball Gurit të Kuq, Gurëve të Tahirit, në Kodrën e Studenicës dhe mbi Mushtisht. Nga këto pozicione luftëtarët e lirisë i thyen shumë herë forcat serbe, duke iu shkaktuar humbje të mëdha në njerëz dhe në armatim, madje gjatë një ofensive iu pat mbetur edhe flamuri i tyre në Kodrën e Studenicës.

Në shtator të vitit 1998, kompania e lartpërmendur e pati goditur helikopterin e policisë, kur ai kalon mbi pozicionet e UÇK-së te Guri i Kuq në ahishtat e Bugogllavës.

Në betejat e egra e të fuqishme të 19, 20, 21 dhe 22 prillit, që ishin një vazhdimësi e pakëputshme e tyre, mbrojtja e pozicioneve të UÇK-së dhe e popullatës zgjati plot 43 ditë pandërprerë derisa forcat serbe u thyen definitivisht dhe lëshuan Kosovën. Në shumë nga këto beteja ranë ushtarë të UÇK-së. Vetëm nga Batalioni i dytë në Budakovë kanë rënë 31 dëshmorë.

Në njërën nga këto beteja të ashpra, e cila zhvillohet afër Shkollës Fillore të fshatit Gurkuq dhe e cila kishte filluar me sulmet e forcave serbe në mëngjesin e 20 prillit, bie heroikisht, më 22 prill 1999, në orën 16:30, trimi i këtyre anëve, Azem Behluli. Azemi me shokët e tij nuk kishte lëvizur nga istikami për tri ditë rresht, derisa goditet nga një plumb snajperi. Po atë natë, Azemi është varrosur nga luftëtarët e lirisë, me nderime ushtarake, në varrezat e fshatit Maçitevë, i bartur dy-tre kilometra nën breshërinë e plumbave nga bashkëluftëtarët: Jakup Jakupi, Bekim Avdylaga, Mehdi Jakupi, Kujtim Jakupi, Medrit Mustafa dhe Avdi Jakupi. Në momentin e rënies në istikam, afër tij kanë qenë, përveç luftëtarëve të lartpërmendur, edhe Burim Abazi, Hysen Bajselmanaj e Faruk Kokaj. Nënë Ferdezja lajmin e kobshëm e mori në Tiranë, atje ku ishte deportuar nga forcat kriminale serbe së bashku me qindra-mijëra shqiptarë të tjerë. Ajo nuk u ligështua, përkundrazi, gjeti forcë e i tha këto fjalë: “Edhe pse e rrita me thonj të duarve, hallall i qoftë gjiri që ja kam dhënë, e paskam pasë rritur për Kosovën!”.

Të njëjtën ditë, më 22 prill 1999, përkrah dëshmorit Azem Behluli, plagosen edhe luftëtarët e lirisë: Jahir Ndrecaj, Hysen Ndrecaj dhe Azem Aliu. Në këtë betejë të ashpër e të pabarabartë, armiku pati shumë të vrarë e të plagosur.