Sulm i tmerrshëm në shkollë në Shirokë: Dy nxënës të lënduar rëndë nga qeni, njëra dërgohet në Infektiv
Një incident i tmerrshëm ka tronditur komunitetin e Suharekës, pasi një qen ka sulmuar tre nxënës të shkollës “17 Shkurti” në fshatin Shirokë.
Dy prej nxënësve janë dërguar për trajtim në Spitalin e përgjithshëm të Prizrenit, ndërsa njëra prej tyre, një vajzë tetëvjeçare, ka pësuar lëndime serioze në kokë dhe është dërguar në Repartin e Infektivës.
Sipas dëshmive, ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 09:50, kur qeni ka hyrë në ambientet e shkollës dhe ka sulmuar nxënësit. Policia ka reaguar shpejt. Për fat të keq, njëri prej nxënësve ka pësuar plagë të thella në kokë, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime më të lehta.
Të dy nxënësit e lënduar janë dërguar menjëherë në Spitalin e Prizrenit, ku janë trajtuar nga stafi mjekësor. Shefi i Emergjencës, Hekuran Veçgishti, ka konfirmuar se njëra prej nxënëseve ka pasur nevojë për kujdes të specializuar dhe është dërguar në Repartin e Infektivës.
Arrestohet pronari i qenit
Policia e Kosovës ka identifikuar dhe arrestuar pronarin e qenit, i cili po hetohet për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Hetimet janë në vazhdim për të zbuluar rrethanat e këtij incidenti të tmerrshëm.