Shala: Për një Therandë bashkëkohore europiane, kam vendosur t’i hy garës për të parin e Komunës

Shala: Për një Therandë bashkëkohore europiane, kam vendosur t’i hy garës për të parin e Komunës
Çlirim Gashi

09.06.2021 / Suhareka

Gjatë ditës së sotme Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur një mbledhje, ku temë kryesore e mbledhjes ishte diskutimi për zgjedhjet lokale si dhe propozimin e kandidatëve për kryetarë komunash.

Në këtë mbledhje kryesia e LDK’së kanë zyrtarizuar tetë kandidatë për kryetarë të komunave.

Komunat për të cilat tashmë janë zyrtarizuar kandidatët për kryetarë janë: Prishtina, Podujeva, Peja, Suhareka, Lipjani, Fushë-Kosova, Vitia dhe Vushtrria.

Në Suharekë do të garojë kryetari aktual i degës në këtë komunë, Ardian Shala.

Ndërsa në Podujevë do të garojë Ekrem Hyseni, në Prishtinë Përparim Rama, gjithashtu në Pejë mbetër kryetari aktual i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, poashtu edhe në Lipjan e Fushë-Kosovë do të garojnë kryetarët aktualë Imri Ahmeti dhe Burim Berisha, ndërsa në Viti do të garojë Sokol Hamiti dhe në Vushtrri Xhafer Tahiri.

Pas zyrtarizimit të kandidatit për të parin e Komunës së Suharekës, ka reaguar kryetari i degës së LDK-së, Ardian Shala.

Shala ka shkruar në rrjetin social “Facebook” se: “Nën inercionin e kërkesave të drejta qytetare për qeverisje institucionaliste, për zbatim të parimeve rugoviane, për barazinë e përgjithshme para ligjit e institucioneve, për ruajtjen e vlerave tona, për një Therandë bashkëkohore europiane, kam vendosur t’i hy garës për të parin e Komunës”.

Poashtu ai theksoi se besojnë fuqishëm se do të realizohet kërkesa e drejtë e qytetarëve të Komunës sonë që qeverisja komunale të kthehet sërish në duart e tyre, përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Postimi i plotë i kandidatit për kryetar të Komunës së Suharekës, Ardian Shala:

Të nderuar qytetarë të komunës sonë, sot Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës zyrtarizoi kandidaturën time për kryetar të Komunës së Therandës.

Nën inercionin e kërkesave të drejta qytetare për qeverisje institucionaliste, për zbatim të parimeve rugoviane, për barazinë e përgjithshme para ligjit e institucioneve, për ruajtjen e vlerave tona, për një Therandë bashkëkohore europiane, kam vendosur t’i hy garës për të parin e Komunës.

Dua ta shfrytëzoj rastin t’i falenderoj strukturat, aktivistët dhe bashkëpunëtorët për mbështetjen e vazhdueshme.

Besojmë fuqishëm se do të realizohet kërkesa e drejtë e qytetarëve të Komunës sonë që qeverisja komunale të kthehet sërish në duart e tyre, përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sinqerisht, Ardian Shala

RAPORTO