05.09.2019, 13:44

Kosova po përgatitet për ndeshjen që mund të vendosë kualifikimin

Me të hyrë në fushë për të nisur stërvitjen nën urdhrat e Bernard Challandesit, lojtarët “u ngrohën” me duartrokitjet nga tifozët e pranishëm në tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Stërvitja e mbajtur të mërkurën pasdite ishte e treta për Përfaqësuesen e Kosovës në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet eliminatore të “Euro 2020” ndaj Çekisë dhe Anglisë. Kjo stërvitje për dallim prej dy të parave ishte më intensive dhe zgjati më shumë, rreth 1 orë e 45 minuta.

Përderisa lojtarët filluan nxehjet për stërvitje, përzgjedhësi Challandes e ndau mesfushorin Florent Muslija anash për ta bërë një bisedë disa minutash, shkruan sot Koha Ditore.

Muslija është ftuar për herë të parë te Kosova, pasi kohë më parë është pajisur me dokumentacionin e duhur.

LEXO EDHE:  Një tjetër klub i madh anglez e do yllin e Kosovës, Vedat Muriqin

Pas bisedës me mesfushorin Muslija dhe nxehjes së futbollistëve, Challandes sërish i mblodhi të gjithë në qendër të fushës dhe ua mbajti një fjalim më të gjatë sesa në dy stërvitjet e mëparshme.

Kosova të shtunën prej orës 15:00 në “Fadil Vokrri” e pret Përfaqësuesen e Çekisë në kuadër të Grupit A.

Dy stërvitjet e fundit për këtë ndeshje, të enjten (sot) dhe të premten Kosova do t’i mbajë prej orës 15:00 për t’u ambientuar futbollistët me kohën e duelit. Tri ditë pas përballjes me Çekinë, Kosova do të luajë kundër Anglisë në udhëtim.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.