“Humbja nga FC Ballkani i takon së kaluarës, ndaj Prishtinës të vendosur për fitore”

Humbja e fundit ka motivuar maksimalisht skuadrën e Dritës, që po kërkon fitore në ndeshjen kundër Prishtinës.

Te Drita insistojnë se kanë harruar disfatën që e pësuan nga Ballkani të mërkurën dhe tashmë mendjen e kanë vetëm te trepikëshi ndaj Prishtinës.

Dueli mes Dritës dhe Prishtinës zhvillohet të dielën në stadiumin e qytetit në Gjilan prej orës 14:00. Njëherësh, kjo ndeshje vlerësohet edhe si derbi i xhiros së 22-të në elitën e futbollit të Kosovës.

Skuadra e Dritës zë vendin e katërt në tabelë me 40 pikë të tubuara, një më pak se Prishtina që është e treta. Në fakt, Drita po kërkon t’ia shkaktojë Prishtinës humbjen e parë këtë vit. Prishtina deri më tani nuk di për humbje në vitin 2020. Ka shënuar katër fitore në pesë ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat, përfshirë edhe Kupën e Kosovës, shkruan Koha Ditore.

Sulmuesi i Dritës, Betim Haxhimusa, insiston se në përballjen me Prishtinën vetëm fitorja është opsion për gjilanasit.

LEXO EDHE:  Europa League/ Sot në fushë Inter e Manchester United

Madje, ai thotë se Drita do të bëhet “sebep” për humbjen e parë të Prishtinës këtë vit. Megjithatë, Haxhimusa ka pranuar se nuk do të jetë lehtë të arrihet fitorja, për shkak se Prishtina mbetet një kundërshtare shumë e fortë dhe se në Gjilan nuk do të udhëtojë me “flamur të bardhë”.

“Jemi maksimalisht të motivuar dhe të gatshëm t’u kthehemi fitoreve në ndeshjen kundër Prishtinës. Humbja ndaj Ballkanit i takon së kaluarës, pasi fokusi ynë është vetëm te dueli me Prishtinën. Natyrisht, do të jetë një ndeshje e vështirë, për shkak se edhe Prishtina ka ekip cilësor dhe do ta kërkojë fitoren gjithashtu. Por, ne do të japim maksimumin për ta fituar këtë ndeshje që e luajmë në shtëpi”, është shprehur Haxhimusa të premten.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.