Fyerje ndaj Kosovës në Plzen, UEFA dënon Çekinë

Prishtinë, 20 dhjetor (KD) – Federata e Futbollit e Çekisë nuk ka shpëtuar pa gjobë për shkak të sjelljeve jokorrekte të tifozëve çekë në ndeshjen me Kosovën. Ndeshja Çeki – Kosovë ishte luajtur më 14 nëntor në Plzen, ndërsa çekët me fitore 2:1 bënë hapin vendimtar drejt evropianit të vitit tjetër, shkruan sot Koha Ditore.

Ndeshja në Plzen ishte vlerësuar e rrezikshmërisë së lartë për shkak të qëndrimit anti-Kosovë që kanë grupe të shumta të tifozëve e huliganëve në Çeki. Autoritetet çeke kishin thënë se kanë marrë të gjitha masat për të parandaluar incidentet, por të tilla megjithatë kishte.

Në ditën e ndeshjes në Plzen ishin sulmuar tifozë të Kosovës nga grupe huliganësh çekë. Ndërsa gjatë ndeshjes, me gjithë masat e rrepta të sigurisë, ishin shfaqur flamuj të Serbisë në të cilët ishte shkruar “Kosova është Serbi”. Po ashtu ka pasur thirrje për Kosovën si pjesë të Serbisë.

Për mesazhet e natyrës politike, Federata e Futbollit e Çekisë është gjobitur të premten nga UEFA, përkatësisht nga Trupi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës (CEDB).

“CEDB ka vendosur të dënojë Federatën e Futbollit të Çekisë me 17.750 euro për mesazhe provokuese politike dhe për hedhje të gjësendeve”, thuhet në njoftimin e UEFA-s.

Edhe lojtarë të Kosovës ishin ankuar për fyerjet që ua kishin bërë tifozët çekë.

Me vendimin e së premtes vetëm është konfirmuar se Kosova ishte pjesë e një grupi shumë problematik. UEFA kishte dënuar më herët edhe Federatën bullgare për fyerje ndaj Kosovës. Po ashtu një gjobë ishte dhënë për ndeshjen ndërmjet Kosovës e Malit të Zi, ku kjo e fundit ka kaluar më keq.

Ndërsa telashet më të mëdha janë shfaqur në ndeshjet e Anglisë, lojtarët e së cilës janë fyer në baza raciste. Për këtë ndeshja Mali i Zi – Kosovë ishte luajtur pa tifozë, ndërsa me dy ndeshje pa shikues është dënuar Bullgaria, po ashtu për fyerje raciste ndaj lojtarëve anglezë.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.