Federata Ndërkombëtare e Futbollit FIFA vlerëson rritjen e përfaqësueses së Kosovës

Foto: Ilustrim

“Në shikim të parë një përparim për katër pozita, nga ajo 126-të në pozitën 122-të, në ranglistën e FIFA-s, mund të mos duket një përmirësim i rëndësishëm. Por kjo tregon se ndonëse është formuar vetëm nëntë vjet më parë, përfaqësuesja e Kosovës në futbollin e femrave është në rrugën e duhur”.

Kështu i ka shkruar të enjten sajti zyrtar i FIFA-s, Federatës Ndërkombëtare të Futbollit. FIFA ka vlerësuar rritjen e përfaqësueses së femrave, që vazhdimisht është në hije të përfaqësueses së futbollistëve, që ka marrë famën e madhe në dy vjetët e fundit.

Në kualifikimet për “Euro 2021”, futbollistet e Kosovës fituan 2:0 ndaj Turqisë, pësuan 5:0 nga Sllovenia dhe më pas fituan 2:1 në udhëtim ndaj Estonisë, transmeton Koha Ditore.

Në nëntor, Kosova fitoi miqësoren ndaj Luksemburgut me shifrat 5:0. Kjo i mundësoi Kosovës që të ngrihet për katër pozita në ranglistën e FIFA-s dhe tash është e 122-a.

“Ishte shumë me rëndësi që të fillojmë fushatën kualifikuese me fitoren ndaj një kundërshtareje si Turqia. Kjo më bën që të ndihem shumë krenare”, ka thënë përzgjedhësja Afërdita Fazlija për sajtin e FIFA-s.