Alban Veseli e sheh Yllin në finale

Alban Veseli njëri ndër lojtarët më të mirë të klubit të Suharekës, Golden Eagle YLLI, ka insistuar që Ylli këtë edicion të luajë në serinë finale të Play Off-it në SuperLigën e Kosovës në Basketboll.

Sot, klubi i qytetit, KB Golden Eagle Ylli, do të luajë kundër Rahovecit në ora 19:00, si dhe sonte për Yllin do të fillojë seria gjysmëfinale, me sistemin 2-2-1.

Dy ndeshjet e para të kësaj serie do të zhvillohen në Suharekë përpara se të bartet në Rahovec kurse ekipi që realizon tri fitore do të kualifikohet në finale, raporton Koha Ditore.

Klubi Rahovecian, KB Rahoveci ka kaluar në gjysmëfinale, pasi që ka eliminuar Ponte Prizrenin në çerekfinale.

Ndërsa, KB Ylli si nënkampion i pjesës së rregullt është kualifikuar direkt në gjysmëfinale.

Kujtojmë se dy klubet, Rahoveci dhe Ylli janë përballur mes vete katër herë, si dhe nga katër ndeshje të zhvilluara të dyja ekipet kanë nga dy fitore të shënuara.

“Kundër Rahovecit do të jetë shumë vështirë, pasi kanë një ekip të papërshtatshme dhe këtë e kanë dëshmuar këtë edicion”, tha Veseli.

Po ashtu ai tha se: “Gjithashtu, kanë edhe përkrahje të madhe nga tifozët që është një shtytje e madhe në basketboll”.

“Por, pavarësisht kësaj, mendoj se kemi ekip më të mirë dhe luajmë më mirë. Bazuar në këtë, besoj fuqishëm se këtë edicion do të kalojmë në finale pa problem”, tha Alban Veseli.

Po ashtu, tani më kanë dalur në shitje biletat për ndeshjen e sotme, ato mund ti gjeni tek kiosku “Flori” te shtëpia e shëndetit si dhe nga ora 17:30 tek palestra dhe kushtojnë 2€.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.