Rritje alarmante e dhunës në familje, 5 raste janë raportuar vetëm të premtën, viktima gratë
Numri i rasteve të dhunës në familje në Kosovë vazhdon të jetë shqetësues. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka regjistruar disa raste të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj grave, kryesisht nga bashkëshortët e tyre.
Një viktimë femër kosovare në Prishtinë ka raportuar se ka qenë e viktimizuar për një periudhë të gjatë nga dhuna psikike dhe kërcënimet e vazhdueshme të ish-partnerit të saj, një mashkull kosovar. Ajo ka kërkuar ndihmë dhe ka denoncuar situatën në polici. Pavarësisht thirrjes, i dyshuari nuk është paraqitur në polici. Rasti është njoftuar edhe Qendrës për Punë Sociale dhe Njësisë për Mbrojtjen e Viktimave, ndërsa pas konsultimeve me prokurorin, është iniciuar procedura hetimore. Rasti mbetet nën hetim.
Një tjetër rast i dhunës në familje është regjistruar në Shtërpce, ku një viktimë femër nga Maqedonia e Veriut është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, një mashkull kosovar. Viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore. Pas raportimit të rastit, me vendim të prokurorit, ky rast ka kaluar në procedurë të rregullt hetimore.
Gjithashtu në Ferizaj një viktimë femër kosovare ka raportuar se, pas një mosmarrëveshje familjare, është kanosur dhe sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, një mashkull kosovar. Pas intervistimit të palëve, me vendim të prokurorit, viktima dhe katër fëmijët e saj janë dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është liruar dhe rasti ka kaluar në procedurë të rregullt hetimore.
Në Prizren, një viktimë femër kosovare ka raportuar se bashkëshorti i saj, një mashkull kosovar, ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj saj. Viktima ka kërkuar trajtim mjekësor pas sulmit. Gjatë kontrollit të dyshuarit, është konfiskuar një pistoletë me 24 fishekë, për të cilën ai kishte leje. Pas intervistimit të palëve, me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë.
Në Skenderaj, një mashkull kosovar është arrestuar pasi ka tentuar të sulmojë fizikisht bashkëshorten e tij pas një mosmarrëveshjeje. Viktima ka arritur të largohet, ndërsa i dyshuari ka vazhduar ta ofendojë. Pas hetimit, me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes për hetime të mëtejshme.