Vrasja për një borxh 20€ në Maqitevë, dëshmitari thotë se i ndjeri refuzoi ta përshëndeste dhe e shau të akuzuarin

Dëshmitari L.A deklaroi se tani i ndjeri Sh.K nuk ia kishte dhënë dorën për ta përshëndetuar të akuzuarin S.A dhe pas kësaj Sh.K kishte filluar ta shante të akuzuarin dhe kishte refuzuar të ulen e të bisedojnë. 

15.11.2021 / Kronika

Vrasja për një borxh 20€ në Maqitevë, dëshmitari thotë se i ndjeri refuzoi ta përshëndeste dhe e shau të akuzuarin
Foto: Ilustrim

Këtë deklarim, dëshmitari L.A e bëri të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, lidhur me rastin ku S.A po ngarkohet se vrau Sh.K. shkaku i një borxhi prej 20 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari L.A deklaroi se në natën kritike kishte qenë në lokalin “Toni” ku ka qenë i ulur në tavolinë me B.A dhe A.K.


Ai tha e pas një kohe ka ardhë i akuzuari S.A, i ka përshëndetur të gjithë dhe se Sh.K nuk ia kishte dhënë dorën atij dhe pas kësaj, Sh.K kishte filluar sharjet në drejtim të S.A, të cilin e kishte sharë me nënë e babë, e që i akuzuari e kishte ftuar të ulen e të bisedojnë.

Tutje, dëshmitari thotë se tani i ndjeri kishte refuzuar dhe kishte dalë jashtë lokalit, e që pas disa minutash kishte dëgjuar krismat e armës jashtë lokalit.

Ai tha se pas kësaj s’ka parë asgjë jashtë pasi që menjëherë pas krismave kishte ikur në drejtim të shtëpisë së tij.

Ndërsa, dëshmitari tjetër F.A deklaroi se tha se natën kritike të 26 janarit 2020 kishte qenë në lokalin- restorantin në fshatin Maqitevë së bashku me një shok të tij ku kishin qëndruar, pirë dhe ngrënë.

Sipas dëshmitarit, derisa ishin ulur në tavolinë, ka ardhë tani i ndjeri Sh.K në lokal dhe pas tij shoku i tij N.A, ku janë ulur në njërën nga tavolinat e lokalit dhe se ndeja ka vazhduar deri në ora 1-1:30.

Dëshmitari F.A tha se në këtë kohë ka ardhë i akuzuari S.A, i cili ka përshëndetur të gjithë dhe se ka shkuar në tavolinën e Sh.K, me qëllim që ta përshëndeste.

Tutje, tha se i akuzuari S.A ia ka zgjatur dorën, por tani i ndjeri nuk ia zgjati dorën për ta përshëndetur.

Pas kësaj, thotë se S.A ka shkuar në një tavolinë tjetër dhe ka porositur pije dhe ka qenë i ulur 2-3 metra larg tavolinës së Sh.K, e pas disa çastesh, S.A i ka thënë Sh.K hajde të bisedojmë.

Mirëpo, sipas dëshmitarit, Sh.K i kishte thënë “s’kam çka të bisedoj me juve”, e pas këtyre fjalëve Sh.K ka dalë jashtë lokalit.

Dëshmitari theksoi se pas 3-4 minutave edhe S.A ka dalë jashtë, mirëpo thotë se nuk e di se çka ka ndodhur jashtë, vetëm se kishte dëgjuar krismë armësh.

Po ashtu, i njëjti tha se nga frika, së bashku me shokun e tij ishin futur nën banak e pas kësaj, tha se ka dalë jashtë dhe ishte nisur për në shtëpinë e tij dhe se s’ka parë asgjë jashtë, ngase ishte larguar nga dera tjetër e lokalit.

Në seancën e së hënës ishte paraparë të dëgjohej edhe dëshmitari G.G, mirëpo i njëjti pavarësisht faktit se ishte ftuar me rregull, nuk u paraqit në gjykatë.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha, seancën e sotme e ndërpreu dhe e njëjta do të vazhdojë nesër (e martë).

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, ngarkon S.A se privoi nga jeta tani të ndjerin Sh.K, më 26 janar 2020 në kafenenë “Toni” në fshatin Maqitevë të Komunës së Suharekës, pronë e L.A. /BetimipërDrejtësi

Themele të sigurta të së ardhmes, N.T.P.SH “HALITI”, gjiganti i ndërtimit në Suharekë

Të investosh në të ardhmen është gjëja më e duhur që çdo person do duhej ta ketë parasysh në secilin...

Lexo më shumë
KOMENTE0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *