Vjedhja e 1,500 eurove në një pompë derivatësh në Suharekë, arrestohet edhe një 42 vjeçar

19.03.2021

Më datë 03 mars të këtij viti nga Policia e Kosovës në Suharekë ishte raportuar për një grabitje në një pompë derivatësh në Suharekë. Burime të SuharekaOnline kishin bërë të ditur se të mërkurën (03.03.2021) rreth orës 04:30 një person 17 vjeçar kishte raportuar në Policinë e Kosovës në Suharekë se në vendin e tij […]

Vjedhja e 1,500 eurove në një pompë derivatësh në Suharekë, arrestohet edhe një 42 vjeçar Foto: Ilustrim

Më datë 03 mars të këtij viti nga Policia e Kosovës në Suharekë ishte raportuar për një grabitje në një pompë derivatësh në Suharekë.

Burime të SuharekaOnline kishin bërë të ditur se të mërkurën (03.03.2021) rreth orës 04:30 një person 17 vjeçar kishte raportuar në Policinë e Kosovës në Suharekë se në vendin e tij të punës kanë hyrë dy persona të panjohur, me ç’rast i kanë grabitur nj shumë parash, ku po pretendohet të jenë rreth 1,500 euro.

Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës në Suharekë për SuharekaOnline ka bërë të ditur se të mërkurën (18.03.2021) është arrestuar edhe një person i dyshuar, 42 vjeçar.

Burime të SuharekaOnline bëjnë të ditur se personi në fjalë kishte qenë në arrati dhe gjatë ditës së mërkurë është vetdorëzuar në polici.

Tutje është bërë e ditur se 42 vjeçari, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.  

Rikujtojmë se lidhur me këtë rast, me datë 08 mars, 2021 është arrestuar edhe një i dyshuar me inicialet S.H, për të cilin Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar një muaj paraburgim.

”I pandehuri S.H., me datë 3 mars, në orët e hershme të mëngjesit në pompën e derivateve, i pandehuri me një person tjetër me kanosje e përvetësojnë në mënyrë të kundërligjshme pasurinë e luajtshme të personit tjetër, në atë mënyrë që të pandehurit vendosin maskat anti – covid të veshur me xhaketa dhe kapuç ngjyrë të zezë, i afrohen viktimës, dhe i drejtohen me fjalët ‘’ mos lëviz vetëm na jep para”, viktima nga frika fillimisht i ngrit duart lart dhe jep para në vlerë prej 1.500 (një mijë e pesëqind) euro, dhe i pandehuri S.H., pasi i pranon të hollat së bashku me personin tjetër i cili është në arrati largohen në këmbë me shpejtësi,
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Gjyqtarja e procedurës vlerëson se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, ngase i pandehuri me qëndrimin e tij në liri mund të fshihet apo të jepet në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, po ashtu faktin se i pandehuri është kapur nga ana e organeve policore tri ditë pas kryerjes së veprës penale, si dhe duke pasur parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale si dhe intensitetin e vlerës së mbrojtur, sidomos duke e marrë për bazë deklarimin fillestar të pandehurit i cili e ka pranuar kryerjen e kësaj vepre penale pasi që ka përdorur substanca narkotike,
Andaj, duke marrë parasysh të lartë cekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret masa e paraburgimit është më oportune dhe më e arsyeshme duke marr parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes, caktimi i paraburgimit për të pandehurin është më se i domosdoshëm dhe i arsyeshëm dhe për shkak të mbarëvajtjes së procedurës së rregullt të procedurës penale – hetimore” thuhej në njoftimin e prokurorisë.