Suharekë: Shtyhet gjykimi ndaj tre të akuzuarve për vjedhje të 300 eurove dhe një armë zjarri

25.06.2021

Mungesa e të dëmtuari Q.M ka bërë që të dështojë të mbahet seanca e paraparë për të enjten, në rastin ku Y.G, D.G dhe E.M po akuzohen për vjedhje të rëndë. Gjyqtari Qemajl Suka tha se i dëmtuari është dashur që të sillet me forcë në seancë nga ana e policisë, por që një gjë […]

Suharekë: Shtyhet gjykimi ndaj tre të akuzuarve për vjedhje të 300 eurove dhe një armë zjarri Foto: Gjykata Themelore e Prizrenit dega Suharekë / SuharekaOnline

Mungesa e të dëmtuari Q.M ka bërë që të dështojë të mbahet seanca e paraparë për të enjten, në rastin ku Y.G, D.G dhe E.M po akuzohen për vjedhje të rëndë.

Gjyqtari Qemajl Suka tha se i dëmtuari është dashur që të sillet me forcë në seancë nga ana e policisë, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Lidhur me këtë, në sallë të gjykimit ka qenë prezentë nëna e të dëmtuarit, L.M, e cila e ka informuar gjykatën se djali i saj gjendet në Amerikë dhe se me 25 korrik do të niset për Kosovë.

Në këto rrethana, seanca e së enjtes u shty për 3 gusht 2021, në ora 10:00.

Të pranishëm në sallë të gjykimit ishin edhe prokurori Musli Gashi, i akuzuari Y.G me mbrojtësin e tij, avokatin Muhamet Hoxha, i akuzuari D.G me mbrojtësin e tij, avokatin Natal Bullakaj, si dhe i akuzuari i tretë E.M.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, të datës 21 dhjetor 2016, Y.G, D.G dhe E.M, po akuzohen se më 19 mars 2015, në kohë të pa caktuar, në fshatin Vraniq të Komunës së Suharekës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete, hyjnë në shtëpinë e të dëmtuarit Q.M, në atë mënyrë që shfrytëzojnë momentin e volitshëm, mosprezencën e të dëmtuarit, ku me forcë hyjnë përmes dritares së shtëpisë, nga ku marrin 300 euro para të gatshme si dhe një armë zjarri e cila armë ka qenë pronë e të ndjerit R.M.

Andaj, me këto veprime të lartcekurit dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë” nga neni 327 paragrafi 1.1 lidhur me nenin 31 të KP-së. /BetimipërDrejtësi/