Suharekë: Dyshohet se rojet e pyllit u korruptuan për 100 euro

19.01.2019

Në gjykimin e dy rojeve të pyllit, Nuhi Bajraktari dhe Avdi Trolli, që po akuzohen për veprën penale të marrjes së ryshfetit, u paraqitën 2 dëshmitarë, Xhafer Shukolli, e Artan Qatani, ky i dyti i ftuar nga kryetari i trupit gjykues Skender Çoçaj. Në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, pas dëshmitarëve u […]

Suharekë: Dyshohet se rojet e pyllit u korruptuan për 100 euro Foto: Ilustrim

Në gjykimin e dy rojeve të pyllit, Nuhi Bajraktari dhe Avdi Trolli, që po akuzohen për veprën penale të marrjes së ryshfetit, u paraqitën 2 dëshmitarë, Xhafer Shukolli, e Artan Qatani, ky i dyti i ftuar nga kryetari i trupit gjykues Skender Çoçaj.

Në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, pas dëshmitarëve u morën në pyetje edhe 2 të akuzuarit.

Dëshmitarin Artan Qatani, i cili ishte në lidhje gjaku me të akuzuarin Nuhi Bajraktari, kryetari i trupit gjykues Skender Çoçaj e udhëzoi që është dëshmitar që lirohet nga dhënia e dëshmisë për shkak të afërsisë familjare, i njëjti u deklarua se dëshiron të dëshmojë.

I njëjti në pyetje e prokurorit Mehdi Sefa, deklaroi se i dëmtuari Fehmi Qatani e kishte thirrur në telefon, e i kishte thënë: “Më kanë ndaluar rojet e pyllit, a mundesh me më ndihmu me i thanë dajës tuaj që të më hiqet tiketa”.

I njëjti deklaroi se të njëjtën ditë e ka takuar dajën e tij të akuzuarin Nuhi Bajraktari, i njëjti i kishte thënë se: “Unë nuk kam dorë aty, nuk mundem me të ndihmu edhe ti me qenë kundërvajtës, nuk kisha mujt me të ndihmu kurrgjë”.

I pari para trupit gjykues u paraqit i akuzuari Avdi Trolli për të dhënë mbrojtjen e tij, i cili u përgjigj në pyetjet e mbrojtëses avokate Sabrije Syla.

I njëjti gjatë mbrojtjes së tij theksoi faktin se gjatë punës, kur i kanë parë kundërvajtësit duke e prerë pyllin ilegalisht, ua kanë shqiptuar fletëparaqitjen.

“Shpesh ndodh që këto të jenë të gabuara pasi që të dhënat personale na ofrohen të gabuara me qellim nga kundërvajtësit, e sa për paraqitjen e letërnjoftimit, as që bëhet fjalë të na japin letërnjoftimet”, tha i akuzuari Trolli.

Në pyetjen e avokates Syla se a e din arsyen pse i dëmtuari Qatani dhe dëshmitari Shukolli e kanë paraqitur në polici?

I akuzuari Trolli u përgjigj: “Mua më ka paraqitur dëshmitari  Xhafer Shukolli, sepse i njëjti ka shumë fletëparaqitje, ai ka tentuar që në çdo mënyrë të më dëmtojë, sepse 13 fletëparaqitje i ka prej meje, e Fehmia nuk e di pse më ka paraqitur, por kjo ka qenë e përgatitur nga Xhafer Shukolli”.

Pas tij, për të dhënë mbrojtjen u paraqit i akuzuari Nuhi Bajraktari, i cili nuk kishte të angazhuar mbrojtës.

I njëjti në pyetjet e prokurorit të shteti deklaroi se: “Më ka thirr nipi, e më ka thënë që një person me emrin Fehmi po kërkon me i ndihmu pasi që Avdi Trolli e ka zënë në pyll, e nipi ë tha që Fehmiu i ka kërku që me i ndihmu, po unë iu përgjigja se unë nuk e njoh Fehmiun e as nuk kam çka me i ndihmojë”.

I njëjti shtoi se në kohën kur i akuzuari Avdi Trolli e ka zënë të dëmtuarin Fehmi Qatani duke prerë pyllin ky nuk ka qenë aty, pasi që punojnë në zona të ndryshme.

Pas kësaj, palët kërkuan një afat të arsyeshëm nga trupi gjykues që të përgatiten për fjalën përfundimtare.

Trupi gjykues i përbërë edhe nga anëtarët Bashkim Beshi dhe Xhemil Elshani, caktuan datën 4 shkurt për dhënien e fjalës përfundimtare, e deri në 3 ditë pas kësaj date do të bëhet edhe shpallja e vendimit të gjykatës.

Prokuroria Themelore në Prizren më 28 shtator 2018 ka ngritur aktakuzë ndaj Avdi Trollit dhe Nuhi Bajraktarit, me pretendimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Sipas aktit akuzues, më 29 tetor 2014, në afërsi të restorantit “Giri” në Qafë të Duhlës, të akuzuarit në cilësinë e rojeve të pyllit në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Suharekës, në mënyrë të drejtë për drejtë kërkojnë para për vete, me qëllim të mos veprojnë në pajtim me detyrat e tyre zyrtare, raporton KALLXO.com.

Në aktakuzë thuhet se deri sa i akuzuari Trolli ishte në detyrë të rojtarit në Njësinë Ekonomike në Carralevë, Fehmi Qatanin e ka hasur duke prerë dru me motor-sharrë, dhe ka kërkuar nga ai që të shkojë në restorantin “Giri” në Qafë të Duhlës, pasi që ka nevojë të konsultohet me kolegë të tjerë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se përball restorantit i afrohet i akuzuari Bajraktari, duke i thënë nëse ka para për t`i dhënë, nuk do t’i shkruajnë procesverbal, por do ia falin.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari Qatani ua jep 45 euro të akuzuarit Bajraktari, i cili fillimisht i merr këto para dhe shkon në konsultim me të akuzuarin Trolli, i cili ishte në automjet, ky i fundit sipas Prokurorisë e hap dritaren e automjetit dhe nga aty i gjuan paratë, dhe kërkon nga i dëmtuari 100 euro për mos paraqitje të rastit në Gjykatë.