Shtatë kosovarë të arrestuar në aksionin e Policisë ku u kapën 400 kilogramë kokainë

Shtatë kosovarë të arrestuar në aksionin e Policisë ku u kapën 400 kilogramë kokainë
Çlirim Gashi

17.05.2021 / Kronika


Shtatë persona janë arrestuar si të dyshuar gjatë një operacioni policor ku u sekuestruan 400 kilogramë substancë narkotike që dyshohet se është e llojit kokainë.

Në një konferencë për media, nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se shtatë persona janë arrestuar ndërsa Policia është në kërkim edhe të disa personave të tjerë të dyshuar.

“Gjatë këtij operacioni policor deri më tani janë arrestuar shtatë persona shtetas të Republikës së Kosovës dhe janë konfiskuar 400 kg substancë narkotike që dyshohet të jetë kokainë, një armë dhe vetura të ndryshme, kamionëve dhe gjësendeve tjera”, u tha në konferencë.

“Personave të arrestuar, në konsultim me prokurorinë kompetent u është caktuar masa e ndalimit deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore. Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës është në kërkim edhe të disa personave të tjerë të dyshuar tashmë të njohur për Policinë dhe që dyshohet se kanë qenë pjesë e këtij grupi kriminal”, u tha tutje.

Katërqind kilogramë kokainë u kapën në një konteiner me mish që vinte nga Brazili. Ndërkohë kokaina ishte futur në disa pako kartoni, ndërsa ambalazhi dyshohet të jetë i ngjashëm me paketimin e mishit për tu kamofluar.

RAPORTO