29.10.2019, 16:40

Shqetësuese, për nëntë muaj 76 persona të vdekur në aksidente trafiku, ndërsa mbi 8 mijë persona të lënduar

Edhe pse Policia e Kosovës ka bërë shumë apele tek ngasësit e automjeteve që të kenë kujdes gjatë vozitjes sepse mund të shndërrohen në probleme serioze duke humbur edhe jetën nga një aksident.

Aksidentet rrugore në Kosovës janë shqetësuese pasi që edhe nga shumë vozitës nuk respektohen ligjet dhe rregullat në trafik, për këtë arsye këto aksidente po shndërrohen në një prej problemeve shumë serioze në Republikën e Kosovës.

Sipas Policisë së Kosovës vetëm gjatë muajve janar – shtator të vitit aktual, 76 persona kanë vdekur në plotë 66 aksidente trafiku, ndërsa 8 mijë e 625 persona janë lënduar.

Po ashtu Policia ka treguar fajtorin në shumicën e rasteve, ku thuhet se fajtor në shumë raste është faktori njeri si dhe tejkalimi i shpejtësisë së lejuar për ngasje.

Në periudhën kohore janar – shtator të këtij viti aktual, janë regjistuar 11 mijë e 732 aksidente, që nëse e bëjmë një llogaritje të thjeshtë i bie rreth 43 aksidente brenda një dite.

Autoritetet e rendit thonë se kanë shqiptuar mijëra gjoba, kryesisht për shkelje të rregullave në trafik dhe tejkalim të shpejtësisë.

LEXO EDHE:  Biletat për ndeshjen Kosovë - Angli, prokuroria po heton procesin e shitjes

Këto të dhëna janë paraqitur gjatë një prezantimi mbi sigurinë në trafikun rrugor në Kosovë.

Jeton Rexhepi, drejtor i Departamenti Rrugor në Policinë e Kosovës, tha se shumica e personave të lënduar apo që kanë përfunduar me fatalitet, janë të moshës mbi 19 vjeç. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga viti 2002 deri në vitin 2018, numri mesatar i personave që kanë humbur jetën brenda një viti është 142 veta. Marrë parasysh këtë numër të viktimave në trafik, për një vend me popullatë prej rreth 1.8 milion banorësh sa ka Kosova, Rexhepi tha se ka nevojë për një edukim dhe vetëdijesim më të madh të qytetarëve.

“Nëse flasim për periudhën janar-shtator 2019 dhe e krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, mund të them se përveç aksidenteve me dëme, që shënojnë një rritje për 2.6 për qind, të gjitha llojet e aksidenteve kanë shënuar rënie. Në këtë periudhë kohore, janë 76 persona që kanë humbur jetën, ndërsa vitin e kaluar kanë qenë 90 persona, që do të thotë se kemi 14 persona më pak”, tha Rexhepi.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.