17.07.2019, 11:33

Rreth 19 grupe kriminale janë shkatërruar në gjashtëmujorin e këtij viti

Policia e Kosovës në një konferencë për media, ka prezantuar raportin gjashtëmujor janar-qershor duke u fokusuar edhe në aktivitetet më të rëndësishme të policisë gjatë kësaj periudhe.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm për operativë, Samedin Mehmeti, ka prezantuar raportin gjashtëmujor janar-qershor 2019.

Ai ka thënë se në këtë gjashtë mujorë ka pasur rënie të veprave penale në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Raporti gjashtë mujor për këtë periudhë ka treguar rënie të nivelit të kriminalitetit dhe suksese të dukshme të Policisë së Kosovës. Gjatë kësaj periudhe kemi tendencë të rënies së veprave penale. në gjashtë mujorin e parë të vitit 2018 kanë qenë 6417 vepra penale ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit 2019 ky numër është 4692 ose 10.50 për qind më pak. Po ashtu veprat penale të vrasjes gjatë 2018 kanë qenë 16 kurse në periudhën e parë 2019 kanë qenë 12. Por pavarësisht pse është ulë numri në krahasim me vitin e kaluar, edhe ky numër paraqet shqetësim të jashtëzakonshëm”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.

N.T.P.SH “HALITI” gjiganti i ndërtimit në Suharekë

Të investosh në të ardhmen është gjëja më e duhur që çdo person do duhej ta ketë parasysh në secilin hap të jetës. E ardhmja është edhe më e sigurt nëse zgjedh rrugën dhe partnerin e duhur!

Sipas tij edhe lëndimet e rënda kanë pësuar ulje në këtë gjashtë mujor në krahasim me gjashtë mujorin e vitit të kaluar.

“Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2018 kemi pasur 138 lëndime të rënda, kurse në këtë gjashtë mujor 129 lëndime. Ndërsa lidhur me vjedhjet e rënda dhe grabitjet në këtë vit numri ka rënë në minus 23 për qind më pak”, ka thënë ai.

Ndër të tjera Mehmeti ka folur edhe për operacionet policore që janë kryer në këtë gjashtë mujor nga Policia e Kosovës.

“Operacionet si natyrë më e komplikuar. Janë kryer 505 operacione të natyrave të specializuara. Kemi pasur 110 plane, 582 bastisje, 5542 lokale të kontrolluara, 1047 persona të arrestuar. Këto operacione nuk janë në të gjithë Kosovën, por janë vetëm veprimet e specializuara që kanë pasur target krimin e organizuar. Po ashtu kemi shkatërruar 19 grupe kriminale të organizuara që kanë qenë mirë të përgatitura”, ka theksuar ai.

Lidhur me numrin e aksidenteve, Mehmeti ka thënë se këtë periudhë të këtij viti ka rënë numri i tyre.

“Këtë periudhë të këtij viti aksidentet kanë shënuar rënie. Sidomos aksidentet me fatalitet kanë shënuar rënie në minus 9.76 për qind. Pra gjatë gjashtë mujorit të vitit 2018 kanë qenë 41 aksidente ndërsa në këtë periudhë të këtij viti janë 37 aksidente me fatalitet. Ndërsa numri i përgjithshëm i aksidenteve në 2018 ka qenë 7002 ndërsa në 2019 në 6469”, ka thënë ai./Telegrafi/

/SuharekaOnline/