Propozohet të dëgjohen sërish disa dëshmitarë në gjykimin për krime lufte ndaj ish-komandantit “Molla e Kuqe”

16.10.2021

Në fillim të seancës së sotme, prokurori Haki Gecaj propozoi që të dëgjohen përsëri dëshmitarët Haki Përteshi, Minire Përteshi, Ganimete Përteshi, Mustaf Përteshi në rrethanat e njëjta sikurse që ishin dëgjuar më herët si dhe në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet edhe Dr. Agim Hazrolli, e po ashtu edhe të lexohen deklaratat e dëshmitarëve të […]

Propozohet të dëgjohen sërish disa dëshmitarë në gjykimin për krime lufte ndaj ish-komandantit “Molla e Kuqe” Foto: Ilustrim

Në fillim të seancës së sotme, prokurori Haki Gecaj propozoi që të dëgjohen përsëri dëshmitarët Haki Përteshi, Minire Përteshi, Ganimete Përteshi, Mustaf Përteshi në rrethanat e njëjta sikurse që ishin dëgjuar më herët si dhe në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet edhe Dr. Agim Hazrolli, e po ashtu edhe të lexohen deklaratat e dëshmitarëve të tjerë.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Asdren Hoxha deklaroi se dëshmitarët Shefqet Përteshi Bashkim Elshani, Bajram Qatani dhe Jetulla Qarri kanë vdekur andaj është e nevojshme që të bëhet leximi i deklaratave të tyre të dhëna në gjykimin e kaluar.

Avokati Hoxha shtoi se nuk ka nevojë të thirret asnjë dëshmitarë tjetër pasi që gjykata veçse i ka deklarimet e tyre.

Mbrojtësi i të akuzuarit Remzi Shala, avokat Blerim Mazreku ka kundërshtuar leximin e deklaratave të dëshmitarëve në këtë gjykim pasi që vërehen kundërthënie të qarta mes deklarimeve të dëshmitarëve.

Po ashtu, nuk kundërshtoi propozimin e prokurorit Gecaj për dëgjimin e dëshmitarëve të lartcekur, ndërsa sa i përket dëshmitarëve të vdekur kërkoi nga gjykata që të vërtetojë sipas detyrës zyrtare se kanë vdekur këta dëshmitarë.

Gjithashtu prokurori theksoi se ka siguruar informacione nga Policia e Kosovës- sektori për hetimin e krimeve të luftës dhe personave të zhdukur lidhur me mjekimin e dëshmitarit Mefail Elshani, që të njëjtat informacione i ka dorëzuar në gjykatë, e që gjykata pasi që s’kishte kohë të mjaftueshme për të dorëzuar te palët, i ka bërë gjatë seancës së sotme.

Tutje prokurori Haki Gecaj shtoi se është i mendimit që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve Bashkim Elshani, Bajram Qatani, Jetulla Qarri, Shefqet Përteshi, Bajrush Lluzhnca, të cilët kanë vdekur.

Po ashtu propozoi që të lexohet deklaratat e dëshmitarëve Faik Zogaj, Ferat Përteshi, Isuf Iballi, Arif Përteshi, Sadik Selimi, Nazif Përteshi, Muhamed Bilallim Hajdar Qatani, Murtez Zekolli dhe Halil Përteshi për të cilët pala e akuzuar i ka kundërshtuar pasi që sipas mbrojtjes ka mospërputhje me deklaratat e tyre.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi ka aprovuar propozimin e prokurorit që edhe njëherë të ftohen në cilësi të dëshmitarëve Haki Përteshi, Mustaf Përteshi, Ganimete Përteshi dhe Minire Përteshi.

Ndërsa, është refuzuar propozimi që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve Faik Zogaj, Ferat Përteshi, Isuf Iballi, Arif Përteshi, Sadik Selimi, Nazif Përteshi, Muhamed Bilallim Hajdar Qatani, Murtez Zekolli dhe Halil Përteshi.

Po ashtu është aprovuar edhe propozimi i prokurorit që të dëgjohet dëshmitari Dr. Agim Hazërolli.

Pas kësaj, seanca e sotme ka përfunduar dhe seancat e radhës janë caktuar më 21, 22 dhe 24 dhjetor 2021 si dhe më 11 dhe 12 janar 2022.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në korrik të 2019-ës, kishte marrë aktgjykim, me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile, duke e dënuar me 14 vjet burg.

Pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin Shalës në 10 vjet burgim.

Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj.

Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020 e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.

Ish-komandanti i UÇK-së, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shala akuzohet nga PSRK se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël. /BetimipërDrejtësi