Prokurori kërkon dënimin e ish-kryetarit të Suharekës dhe dy të tjerëve

09.12.2019

Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar që ish-kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj, ish-drejtori i Arsimit, Sherif Berisha dhe ish-drejtori i shkollës “Bajram Curri”, Milazim Hajdari të shpallen fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, si dhe të dënohen sipas ligjit. Asllanaj akuzohet se sa ka qenë në pozitën e kryetarit të Suharekës, pa procedurë të tenderimit, […]

Prokurori kërkon dënimin e ish-kryetarit të Suharekës dhe dy të tjerëve Foto: Sali Asllanaj

Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar që ish-kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj, ish-drejtori i Arsimit, Sherif Berisha dhe ish-drejtori i shkollës “Bajram Curri”, Milazim Hajdari të shpallen fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, si dhe të dënohen sipas ligjit.

Asllanaj akuzohet se sa ka qenë në pozitën e kryetarit të Suharekës, pa procedurë të tenderimit, ka nënshkruar marrëveshje të mirëkuptimit dhe bashkëfinancimit ndërmjet Komunës dhe OJQ-së “Kosovo Hope” për projektin “Transporti i nxënësve”, duke shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren Financiare, me ç’rast i shkakton dëm buxhetit të Kosovës në shumën totale prej 10.556.00 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një propozim të tillë, prokurorja e rastit, Erveher Gashi, e ka bërë në seancën e së hënës, duke thënë se qëndron pranë fjalës përfundimtare të dorëzuar me shkrim.

Ajo ka thënë se nga provat e administruara, dëgjimi i dëshmitarëve dhe mbrojtja e të akuzuarve, është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale të cilat iu vihen në barrë.

Ndërsa, në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Sali Asllanaj, avokati Sehad Haliti, në fjalën përfundimtare, ka kërkuar nga gjykata që të mbrojturin e tij, pas administrimit të provave ta lirojë nga akuza.

Ai ka thënë se vepra penale për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij, parasheh që personi zyrtar, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, i tejkalon kompetencat e tij, ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për veten apo për personin tjetër apo t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që seriozisht t’i shkel të drejtat e personit tjetër, e kjo dispozitë sipas tij, në asnjë mënyrë nuk mund të inkriminojë të mbrojturin e tij.