Policia në aksion largoi nga trafiku 290 vetura në gjendje jo të mirë teknike

  • 06.04.2019, 20:18

Edhe këtë fillimvit në Kosovë ka pasur viktima të shpeshta të aksidenteve rrugore në Kosovë, ku deri tani 24 persona kanë humbur jetën në komunikacion.

Aksidentet në numër të madh, kanë bërë që Policia të shtoj masat e sigurisë në trafik për t’i parandaluar vdekjet në trafik.

Policia e Kosovës gjatë një kontrolli në trafik, kanë hasur në shumë vetura në gjendje jo të mirë teknike.

Gjatë një njoftimi për media, Policia e Kosovës bëri të ditur se vetëm gjatë muajit marsjanë shqiptuar 290 gjoba, për arsye që veturat nuk kanë qenë në gjendje të mirë teknike.

Zyrtarët policor gjatë kryerjes së detyrave të rregullta në kontrollin dhe rregullimin e trafikut rrugor nga fushëveprimi i saj si në aspektin parandalues edhe atë aktiv operacional kanë punuar në vazhdimësi për një siguri më të madhe në trafikun rrugor.

Po ashtu, edhe gjatë implementimit të planeve të veçanta lidhur me kontrollin  e rregullsisë teknike të mjeteve, hasin në automjete teknikisht të pa rregullta.

Vetëm gjatë muajit mars 2019, janë shqiptuar 290 tiketa për gjendje jo të rregullt teknike të automjeteve, si dhe janë larguar nga trafiku.

Nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) për Indeksonline bëjnë të ditur se janë të licencuara 133 qendra të kontrolleve teknike.

Po ashtu, ata kanë treguar masat që kanë ndërmarrë, ku përfshihen pezullime te licencës, e dënime me gjobë mandatore.

Zyrtarët policore gjatë kryerjes së detyrave të rregullta në kontrollin dhe rregullimin e trafikut rrugor, janë të obliguar në implementimin e ligjeve përkatëse të cilat rregullojnë lëmin e trafikut rrugor.

“Gjatë ndaljes së automjeteve nëse dyshohet se mjeti është në gjendje të pa rregullt teknike, atëherë urdhërohet shoferi që mjetin ta dërgoj në kontroll të jashtëzakonshëm teknik, dhe në rast se konstatohet që mjeti nuk është në gjendje të rregullt teknike, të njëjtit i shqiptohet kundërvajtja”, thuhet ndër të tjerash në përgjigje të Policisë së Kosovës.

Gjatë vitit 2018, nga Inspektorët e Divizionit të Inspektimit për Kontrolla Teknike, janë kryer 505 inspektime me procesverbale, njofton MIT.

“Masat e ndërmarra gjatë vitit 2018, nga Inspektorët e Divizionit të Inspektimit për Kontrolla Teknike janë: -3 vendime për pezullim të licencës, për një kohë/periudhë të caktuar, deri në eliminimin e mangësive, -22 sanksione kundërvajtëse (dënime me gjobë mandatore), ndaj pronarëve të Qendrave të Kontrollimit Teknik të Automjeteve, -85 sanksione kundërvajtëse (dënime me gjobë mandatore), ndaj personave përgjegjës të Qendrave të Kontrollimit Teknik të Automjeteve, si dhe -34 inicime të procedurës kundërvajtëse, ndaj pronarëve të Qendrave të Kontrollimit Teknik të Automjeteve”, thuhet në përgjigjën e MIT.

Policia e Kosovës vazhdimisht po kërkon dhe apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes, të respektojnë rregullat e trafikut dhe të përqendrohen në ngasje.

Të tjera