Çlirim Gashi
30.03.2019, 12:13

Policia e Kosovës apel tek qytetarët për mos ndezjen e zjarreve në natyrë

Pas shumë raportimeve për ndezjen e zjarreve në natyrë nëpër komuna të ndryshme, Policia e Kosovës bëri apel tek të gjithë qytetarët që të mos ndezin zjarre në natyrë, sepse zjarrvënia është vepër penale.

Policia e Kosovës bëri të ditur se zjarrvënia është vepër penale, prandaj keni kujdes mos dëmtoni pyje e fusha, sepse ndaj këtyre veprave kundërligjore, Policia do të ndërmarrë masa.

Disa nga rastet e fundit të zjarrvënjeve kanë dal nga kontrolli duke shkatërruar sipërfaqe të tëra të maleve, fushave dhe plantacioneve të mbjella me pemë, objekte afariste dhe hapësira tjera duke kërcënuar direkt pasurinë dhe jetën e njerëzve.

Në apelin e Policisë së Kosovës thuhet se: “Duke iu referuar rasteve të 24 orëve të shkuara, duke parë kushtet klimatike (erërat që fryjnë) dhe gjendjen e bimësisë (e thatë dhe e lehtë për t’u djegur),  Policia e Kosovës kërkon dhe apelon nga të gjithë qytetarët që të kenë kujdes dhe të mos ndezin zjarre në natyrë”.

“Zjarrvënia është vepër penale, Policia e Kosovës do të hetojë të gjitha këto rastet  dhe ndaj kryerësve të këtyre veprave kundërligjore do të ndërmarrë masa dhe të gjitha lëndët do të procedohen tek organet e  drejtësisë”, thuhet në apelin e Policisë.

Policia e Kosovës do të hetojë të gjitha rastet e zjarrvënieve dhe ndaj kryerësve të veprës penale ‘zjarrëvënie’ do të zbatojë masa ligjore dhe kryerësit e veprave të tilla do të dënohen komfor ligjeve të aplikueshme.