Për herë të parë rrefehet ish-rreshteri i akuzuar për vrasjen e Jetmir Aliajt në kazino

Pas më shumë  se pesë  muajsh pauze sot ka vazhduar seanca gjyqësore kundër ish-rreshterit, Shefki Spahiu, i akuzuar për vrasjen e Jetmir Aliajt në një kazino në  Suharekë .

Për herë  të  parë  Spahiu është  rrëfyer në seancën e ditës së sotme për ngjarjen e 17 marsit të 2019’së.

Para se i akuzuari Spahiu të jepte mbrojtjen e tij gjykata ka shikuar CD-të, në të cilën shihet momenti i vrasjes së ndodhur mëngjesin e datës 17 mars 2019 në kazinon ku punonte i ndjeri, Jetmir Aliaj.

“Unë e di që asgjë nuk më shfajëson nga fajësia për rastin konkret, por është mirë që ju me i dëgju përjetimet dhe gjendjen shëndetësore dhe mendore timen”.

Për rreth pesë orë sa është përgjigjur Shefki Spahiu ka treguar se që nga momenti kur vite më parë ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për dhunimin e një të miture, kishte filluar të përdorte shumë alkoolin dhe më pastaj edhe lojërat e fatit.

Për ditën kur u vra Jetmir Aliaj, Spahiu, ka thënë se që nga ora 12:00 e ditës kishte filluar të konsumonte alkool dhe kjo ka zgjatur deri në orën 03:00 të mëngjesit kur edhe kishte shkuar herën e parë në kazinon ku u gjet i vrarë Jetmir Aliaj.

LEXO EDHE:  Për 24 orë u shqiptuan 83 fletëparaqitje ndaj qytetarëve që nuk bartën maska në Suharekë

Më tutje ai tregoi se më pas ishte larguar nga kazino, për t`u rikthyer rreth orës 07:30 për të kërkuar një telefon të humbur.

Për të ndjerin Jetmir Aliaj, i akuzuari Shefki Spahiu tha se rreth një muaj para ngjarjes kritike i ndjeri ishte ankuar te menaxheri i kazinos, se këtu i akuzuari kishte derdhur ujë në një aparat të kazinos.

Lidhur me këtë ngjarje, i akuzuari Shefi Spahiu tha se kishte filluar të diskutonte me të ndjerin Jetmir Aliaj.

“Ai (Jetmiri) ka qenë i frustruar për atë punë që ka ndodh ma herët, dhe ka filluar me më sha”, ka thënë i akuzuari Spahiu.

I njëjti tregoi se i ndjeri Jetmir Aliaj e kishte shërbyer me kafe, por sipas tij pas fjalosjes me të ndjerin: “Kam humbur kontrollin dhe vetëdijen, isha i nervozuar dhe ndodhi vrasja, ajo që e pamë në video”, ka vazhduar ai, transmeton Kallxo.com.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.