Operacionet e Policisë kundër kazinove, mbi 33 persona të arrestuar

19.10.2019

Në Kosovë po vazhdojnë të funksionojnë ilegalisht lojërat e fatit. Ndër të tjera, kompanitë ilegale kanë lokale të hapura, të cilat punojnë në formë të fshehtë nga Policia e Prokuroria. Lidhur me këtë çështje, për lajmi.net kanë folur nga Policia e Kosovës. Këta të fundit kanë bërë të ditur se ka shumë raste të cilat i […]

Operacionet e Policisë kundër kazinove, mbi 33  persona të arrestuar Foto: Ilustrim

Në Kosovë po vazhdojnë të funksionojnë ilegalisht lojërat e fatit.

Ndër të tjera, kompanitë ilegale kanë lokale të hapura, të cilat punojnë në formë të fshehtë nga Policia e Prokuroria.

Lidhur me këtë çështje, për lajmi.net kanë folur nga Policia e Kosovës.

Këta të fundit kanë bërë të ditur se ka shumë raste të cilat i ka zbuluar policia, e  që më vonë janë inicuar si vepra penale” Organizim i skemave piramidale”.

Policia tregon se nga hyrja në fuqi e ligjit për mbylljen e lojërave të fatit, janë arrestuar 33 persona që janë marrë me këtë veprimtari.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ne kuadër te Policisë se Kosovës, pas përfundimit të operacionit gjithëpërfshirës në tërë territorin e Republikës se Kosovës të datës 22.03.2019, me ç’rast janë identifikuar dhe mbyllur të gjitha lokalet që merren me veprimtari të dyshuar penale që bien në domen të organizimit të skemave piramidale. Në proces kemi vazhduar që të ndërmarrim veprime shtesë konforë autorizimeve ligjore. Nga koha e sipër cekur deri kah mesi i muajit gusht 2019, janë iniciuar 29 raste, të dyshuara për veprën penale: “Organizim te skemave Piramidale”, janë arrestuar 33 persona dhe është ngritur 24 kallëzim penal për 37 persona te inkriminuar në këtë figurë të veprës penale”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Sidoqoftë, nga Policia e Kosovës thonë se ky numër është edhe më i madh, për shkakun se edhe rajonet policore përkatëse kanë zhvilluar operacione të ngjashme.

“Vlen të ceket se, përveç nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) gjatë kësaj periudhe kohore (22.03.2019 deri 13.08.2019) edhe rajonet dhe stacionet policore përkatëse kane zhvilluar operacione te ngjashme, prandaj shifrat mund te variojnë (rriten)”, thuhet në përgjigje.

Nga Policia tutje, thonë se ata trajtojnë çdo informacion që u vije në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera përkatëse dhe kompetente.

Kujtojmë, se Qeveria e Kosovës kishte vendosur në fillim të këtij viti për mbylljen e të gjitha lojërave të fatit.

Vendimi ishte marrë si rrjedhojë e dy vrasjeve që kishin ndodhur në rajone të ndryshme të Kosovës, të dy ato në vendet ku ushtrohet kjo veprimtari.

Përveç vrasjeve, në këto lokale ishin shënuar edhe një numër i madh i grabitjeve që fatmirësisht kishin rezultuar pa fatalitet.

Ndërkohë, mediat po raportojnë vazhdimisht se një numër i madh i kazinove dhe lokaleve të lojërave të fatit po operojnë ende ilegalisht.