Një muaj paraburgim për 11 të akuzuarit për keqpërdorime të subvencioneve

Një muaj paraburgim për 11 të akuzuarit për keqpërdorime të subvencioneve

Ka përfunduar seanca dëgjimore e 11 të akuzuarve për keqpërdorime me subvencione bujqësore.

Pas kësaj seance, Behar Ejupi, avokat i Pajtim Krasniqit që akuzohet për dy vepra penale, ka thënë para mediave se kanë kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës për paraburgim.

“Tani sapo ka përfunduar seanca e dëgjimore lidhur me kërkesën që ka ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit edhe për klientin tim, Prokuroria pretendon se klienti im ka kryer dy vepra penale, dhënie e ryshfetit dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Konsideron se ka prova të mjaftueshme, mbrojtja ka kundërshtuar këtë. Ndërsa kolegët tjerë po ashtu kanë kundërshtuar masën e paraburgimit. Tash Gjykata do të vendos”, ka thënë ai.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë Departamenti i Krimeve të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion ka kërkuar caktimin e paraburgimit për 11 të arrestuarit nga bastisjet e djeshme.

“Nga bastisja e realizuar më 24 shkurt 2021, në komunën e Prishtinës, Podujevës, Gjilanit, Istogut e Lipjanit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar personat me inicialet S.Sh., L.S., S.S., H.M., B.N., K.Z., A.U., D.A., P.K., Sh.K., K.B-S., ndërsa personi me inicialet A.N., vetëm është shoqëruar në stacionin policor dhe i njëjti është liruar në procedurë të rregullt. Nga kjo bastisje e realizuar janë konfiskuar: rreth 433,160.00 (katërqind e tridhjetë e tre mijë e njëqind e gjashtëdhjetë) euro, 600 (gjashtëqind) dollar, 200 (dyqind) franga, 275 (dyqind e shtatëdhjetë e pesë) lira turke, 15 (pesëmbëdhjetë) telefona, 8 (tetë) vetura, 1 (një) kompjuter, 5 (pesë) armë, 1 (një) USB dhe 1 (një) vulë”, thuhet në njoftimin për media nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. 

RAPORTO