Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarve për gjuajtjen e policisë në Suharekë dhe plagosjen e dyfishtë në Prizren

18.11.2021

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Raima Elezi, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 18.11.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 18.12.2021, ndaj të pandehurve: R.F., për shkak të dyshimit të bazuar se ka […]

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarve për gjuajtjen e policisë në Suharekë dhe plagosjen e dyfishtë në Prizren Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Raima Elezi, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 18.11.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 18.12.2021, ndaj të pandehurve:

R.F., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale  ndihma në grabitje nga neni 317 par.1 dhe 4 lidhur me nenin 33 par.1 dhe 2 të Kodi Penal të Republikës së Kosovës

L.L., dhe I.Q., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale;

1. grabitja në tentativë nga neni 317 par.1 dhe 4 lidhur me nenet 28 dhe 31;
2. shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 par.1 lidhur me nenin 31;
3. mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 parag.1;
4. grabitja nga neni 317 parag.1 dhe 3 e lidhur me nenin 31;
5. sulmi ndaj personit zyrtar nga neni 402 parag.1 dhe 3 e lidhur me nenin 31;
6. shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 parag.1 e lidhur me nenin 31 dhe veprën penale asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë nga neni 321 parag.1 dhe 2 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata në këtë rast gjen se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura, dhe ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka vlerësuar se me qëndrimin në liri të të pandehurve të njëjtit mund të fshihen apo të jepen në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale për shkak të dënimit të lartë që parashihet për këto vepra penale si dhe peshës së veprave penale të cilat janë të natyrës së rëndë, andaj duke marrë parasysh këto rrethana të njëjtit mund të jenë të pa arritshëm për organet e ndjekjes, me çka do të pamundësojë dukshëm zhvillimin normal të  procedurës penale.

Nga të lartcekurat, si dhe duke marrë parasysh  peshën e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat që dyshohen se janë kryer këto vepra penale dhe rrezikshmërinë e lartë shoqërore, ku dy të pandehurit L.L., dhe I.Q., janë të njohur për organet e ndjekjes dhe janë të regjistruar si kryerës dhe të dënuar për vepra të kësaj natyre për të cilat dyshohen, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm, dhe kjo masë i shërben efikasitetit të procedurës penale ngase do të mundësoj zhvillimin normal të hetimeve, do të parandaloj ikjen apo fshehjen e të pandehurve e po ashtu edhe rrezikun e përsëritjes së ndonjë vepre penale.