Suharekë: Vite më parë seks me të miturat, 9 policë nën hetime!

07.02.2019

Në 2016 ishin paraqitur kallëzimet e para penale ndaj zyrtarëve policorë, që në vitin 2015 hetoheshin se kishin qenë të përfshirë në rastet e abuzimit seksual me dy të mitura. Por, nga nëntë gjithsej, sa kanë qenë të përfshirë në rastin e Suharekës, Inspektorati Policor ka dhënë shpjegime vetëm për 6 zyrtarë. Ishte kërkuar përgjigje […]

Suharekë: Vite më parë seks me të miturat, 9 policë nën hetime! Foto: Ilustrim

Në 2016 ishin paraqitur kallëzimet e para penale ndaj zyrtarëve policorë, që në vitin 2015 hetoheshin se kishin qenë të përfshirë në rastet e abuzimit seksual me dy të mitura.

Por, nga nëntë gjithsej, sa kanë qenë të përfshirë në rastin e Suharekës, Inspektorati Policor ka dhënë shpjegime vetëm për 6 zyrtarë.

Ishte kërkuar përgjigje nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, se a ka ndërmarrë kjo e fundit ndonjë masë ndaj zyrtarëve policorë lidhur me kallëzimet penale që inspektorati i ka drejtuar.

Inspektorati policor nuk ka dhënë detaje edhe për 3 zyrtarë të tjerë policorë.

Pavarësisht rezultateve që mund të dalin nga proceset gjyqësore, rastet e abuzimeve seksuale, konsiderohen format më të rënda post-traumatike.

Ngjarja ka ndodhur në muajin qershor të vitit 2015 dhe viktimat raportohet se janë të moshës së mitur, 14 e 15-vjet.

Dy vajza të mitura dyshohet se po abuzoheshin seksualisht nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës në kohën kur familjet kishin kërkuar nga Policia që t’i gjente ato, pasi i kishin raportuar për të zhdukura.

Rreth këtij skandali, Inspektorati Policor i Kosovës është duke hetuar së paku nëntë policë.

Ndonjëri prej tyre dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me 14 vjeçen dhe 15 vjeçen, ndonjë tjetër se ka ditur për këtë veprimtari të paligjshme të kolegëve, por nuk e kanë lajmëruar dhe të tjerë se janë munduar të ndikojnë tek viktimat, në mënyrë që të miturat të mos raportonin për abuzimin e tyre seksual në disa motele në Suharekë dhe përreth.

Siç tregojnë për “Zërin” burime pranë Hetuesisë, e tërë ngjarja ka nisur më 9 qershor kur Nita (emri i ndryshuar nga redaksia), 14 vjeçe, me prejardhje nga një fshat malor i komunës së Suharekës, ishte raportuar si e zhdukur nga gjyshja e saj.

58 vjeçes i kishte ardhur mbesa nga Italia për pushime dhe e njëjta për një javë nuk ishte kthyer në shtëpi.

Nita është gjetur gati një javë pas lajmërimit të Policisë për zhdukjen e saj. Saktësisht, më 16 qershor e mitura është gjetur në motel “Flamuri”, në Grejkoc të Suharekës.

Në momentin e gjetjes ajo kishte qenë e shoqëruar nga një mashkull nga po i njëjti fshat.

Vajza ishte marrë në pyetje nga Policia dhe kishte treguar për “aktivitetet” e asaj jave.

Ajo kishte treguar se ka pasur marrëdhënie seksuale me disa persona, në mesin e të cilëve edhe me rreshterin e Policisë së Kosovës, SH.S., 38-vjeçar.

Nita kishte treguar se gjatë aktiviteteve të saj kishte pasur edhe “shoqe”. Në mesin e tyre kishte qenë edhe një 15 vjeçe nga një fshat tjetër, gjithashtu i komunës së Suharekës. Edhe kjo është gjetur nga Policia ditën e njëjtë në vila “Aroma” që gjendet në Reshtan.

Dy të miturat kanë dhënë ndaras deklarata në Polici, ndërsa e përbashkëta e deklaratës së tyre është një person – rreshteri SH.S.

Që të dyja, të marra në pyetje në prani edhe të punonjësve socialë, kanë treguar se kanë pasur marrëdhënie seksuale me rreshterin policor, i cili njëherazi edhe po e menaxhonte një diskotekë në Suharekë.

“Gjatë kohës sa unë isha me atë (SH.S) brenda në motel, shoqja jeme më pritke jashtë e kur ajo ishte brenda unë e pritsha jashtë”, ka deklaruar njëra nga të miturat në Polici.

Shefi i Hetimeve në mesin e të dyshuarve

Duke u njoftuar për implikimin e zyrtarëve policorë në këtë rast të dyshuar të abuzimit seksual me të mitura, Inspektorati Policor i Kosovës i ka nisur hetimet dhe më datën 19 qershor ka arrestuar rreshterin SH.S.

Pas skadimit të masës prej 48 orësh, ndaj të dyshuarit, me kërkesë të prokurores për të mitur nga Prokuroria Themelore në Prizren, i është caktuar masa e paraburgimit prej tridhjetë ditësh.

Për fshehje të veprës penale të kolegut, më datën 24 qershor është arrestuar edhe një polic tjetër, i cili është liruar pas qëndrimit prej 48 orësh nën masën e ndalimit policor.

“Më datën 24 qershor 2015, IPK-ja lidhur me rastin e njëjtë të datës 19 qershor, e ka arrestuar edhe një zyrtar tjetër policor, i cili dyshohet për ‘Fshehje të veprës penale dhe kryesit të saj’. Të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit dhe është suspenduar me pagesë”, ka njoftuar zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka.

Ndonëse Beka nuk ka dhënë detaje të tjera në lidhje me rastin, “Zëri” nga burime të saj të afërta me Hetuesinë ka mësuar se më datën 23 dhe 24 qershor, në cilësinë e të dyshuarve janë intervistuar edhe gjashtë pjesëtarë të tjerë të Policisë së Kosovës, në mesin e të cilëve është edhe shefi i Hetimeve të Policisë në Suharekë.

“Përveç njërit që është paraburgosur dhe tjetrit që ka qenë në ndalim, në cilësinë e të dyshuarve janë intervistuar edhe shefi i Hetimeve, që me gradë është toger, një rreshter dhe katër policë të tjerë”, ka thënë një burim i afërt me hetimet. Gjashtë zyrtarët policorë janë të dyshuar për “Fshehjen e veprës penale dhe kryesit të saj”.

Suspendohet hetuesi për “Ndikim te viktima”

Inspektorati Policor i Kosovës në lidhje me rastin e përfshirjes së zyrtarëve policorë ka bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prizren. Kryeprokurori, Sylë Hoxha, ish-shoferi i të cilit është vëlla i rreshterit tashmë të paraburgosur, thotë se e kanë marrë me prioritet këtë rast dhe si të tillë po e trajtojnë ngase bëhet fjalë për viktima të mitura.

“Një person është i paraburgosur dhe hetimet janë duke vazhduar edhe për të dyshuar të tjerë, të cilët dyshohen se e kanë fshehur këtë rast dhe së fundi ka edhe të dyshuar që kanë tentuar që të bëjnë presion tek viktimat që ta ndryshojnë deklaratën”, ka thënë kryeprokurori.

Sylë Hoxha ka njoftuar se në këtë rast është duke u zhvilluar një hetim i jashtëzakonshëm, ngase njëra nga viktimat e identifikuara është banore në një qytet të Italisë dhe në Kosovë ka qenë vetëm për pushime, kur dyshohet se është abuzuar seksualisht.

“Në kuadër të hetimit të jashtëzakonshëm ne kemi marrë deklaratat e dy viktimave të identifikuara. Njëra nga to është marrë në pyetje të premten edhe tjetra të hënën”, ka thënë ai, duke mos dhënë detaje rreth përmbajtjes së deklaratave të dy viktimave të mitura.

Por, gazeta nga burime të saj ka mësuar se të premten është marrë në pyetje 15 vjeçja, e cila në tërësi ka qëndruar pranë deklaratës që e ka dhënë në Polici, ku e ka përmendur edhe rreshterin me të cilin ka kryer marrëdhënie seksuale.

Të hënën, ndërkaq, është marrë në pyetje Nita, e cila para prokurores e ka ndryshuar deklaratën duke thënë se gjatë dhënies së deklaratës së parë në Hetuesi ka qenë e dehur.

Ndryshimi i deklaratës së Nitës ka bërë që IPK-ja të hulumtojë edhe ndikimin e të dyshuarve tek viktima dhe kësisoj të martën, sipas burimeve të gazetës, në konsultim me Prokurorinë, IPK-ja ka rekomanduar që një hetues i Stacionit Policor të Suharekës të suspendohet.

IPK-ja zyrtarisht nuk e ka komentuar këtë rast ndonëse është bërë me dije se hetimet për përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në rast janë duke vazhduar.

“Në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe në konsultim edhe me prokurorin e rastit, IPK-ja mund të zgjerojë hetimet rreth këtij rasti me dyshimin se mund të ketë edhe zyrtarë të tjerë të përfshirë”, ka thënë zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka.

Viktima kthehet në Itali

14 vjeçja, e cila dyshohet se është abuzuar seksualisht në Suharekë e rrethinë, të martën është larguar nga Kosova. Ajo së bashku me familjen e saj jeton për tetë vjet në Itali, ndërsa javët e fundit kishte qenë për pushime tek gjyshja në Kosovë.

Nita kishte ardhur në Kosovë, por ajo ishte zhdukur dhe zhdukjen e saj e kishte lajmëruar gjyshja, e cila jeton në një shtëpi njëkatëshe që gjendet në kodrën e fshatit.

“Çika u mashtrue, e ka mashtru një 15-vjeçare”, thotë gjyshja 58 vjeçe.

Ajo tregon se djali me të renë i jeton në Itali dhe mbesa i kishte ardhur për pushime.

“Ajo tha po shkoj te dajtë që i ka në Shtime. Tani nuk u kthy do ditë edhe e lajmërova në Polici. Policia e pruni në shpi mas nja katër-pesë dite”, tregon ajo teksa e mohon se mbesa e saj është abuzuar seksualisht nga disa persona, në mesin e të cilëve dyshohet të jetë edhe një rreshter i Policisë.

“Çika ka folë në Polici e nuk e din as çka ka folë. Kish pas pi alkool a xeher a s’e di çka në qat diskotekën ‘Meti’, e tani kur e kanë marrë në pyetje u tutë prej policisë edhe ka folë qashtu nuk e din as vet çka ka thanë”, thotë gjyshja duke iu referuar deklaratës së parë që mbesa e saj e kishte dhënë më 16 qershor, në ditën kur edhe është zënë nga policia në motelin “Flamuri”.

Gjyshja mohon se pas denoncimit të rastit nga e mbesa kanë ardhur persona në shtëpi për të ndikuar, por këtë dyshim e ka Inspektorati, i cili të martën edhe e ka suspenduar një hetues policor.

“Kërkush nuk ka ardhë. Çika dje ka dhanë deklaratë. Ajo e ka liru (nga përgjegjësia) atë rreshterin. Çika ka thanë që as nuk e njeh as kurrë kurgjo nuk ka pasë me të. Po veç u kanë e pitë edhe ka deklaru qashtu në fillim”, tregon gjyshja, e cila jeton së bashku me bashkëshortin e saj në një shtëpi të palyer dhe oborri i të cilës nuk është i rrethuar me mure.

“Ajo sot u shku për Itali”, thotë ajo teksa kërkon që të mos publikohen “ato çfarë po thuhen”.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Zëri: https://zeri.info/kronika/39804/seks-me-te-miturat-9-police-nen-hetime/