Mbi 550 të arrestuar gjatë javës së dytë të prillit për moszbatim të masave ndaj koronavirusit

Policia e Kosovës, gjatë javës së dytë të muajit prill, ka arrestuar 563 persona për mosrespektim të masave ndaj pandemisë Covid-19.

Krahasuar me javën e parë të muajit prill, ku kanë qenë të arrestuar 229 persona, në javën e dytë të këtij muaji ky numër është mbi dyfishuar.

Sipas raporteve 24 orësh të publikuara nga ana e Policisë së Kosovës, në rajonin e Prishtinës nga 8 prilli e deri më tani janë paraqitur 100 raste të cilat kanë rezultuar me arrestimin e 223 personave të përfshirë.

Pas rajonit të Prishtinës, numri më i madh i rasteve janë paraqitur në rajonin e Gjakovës me 48 raste, ku janë arrestuar 92 persona të përfshirë.

Ndërsa, rajoni i Prizrenit ka raportuar 39 raste me 70 persona të përfshirë, kurse ai i Pejës me 35 raste dhe 61 persona të arrestuar.

Tutje, Komuna e Gjilanit ka raportuar 22 raste me 36 persona të përfshirë dhe ajo e Ferizajit me 14 raste dhe 34 persona të arrestuar.

Sipas raporteve të publikuara nga ana e PK-së, numër më i vogël i rasteve janë paraqitur në Komunën e Mitrovicës së Jugut dhe Veriut, ku janë paraqitur 21 raste dhe 26 persona të përfshirë.

Ndryshe gjatë kësaj jave është raportuar edhe për 9 raste dhe 21 persona të përfshirë në Departamentin e Kufirit. 

RAPORTO