Mashtruan me bileta fallco, arrestohen dy persona

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht Njësia e Hetimeve Financiare pas hetimeve disa mujore nën dyshimin e bazuar për veprën penale ‘Mashtrim’, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aplikuar masat e fshehta të hetimit me ç’rast ka bërë mbledhjen e mjaftueshme të provave të cilat ndërlidhen me veprën penale të lartëcekur.

Lidhur me rastin, siç thuhet në njoftim, me datë 26.04.2019 është zhvilluar plani operativ Avio-Biletat me ç’rast janë kontrolluar katër lokacione, në rajonet Prishtinë, Pejë dhe Gjakovë, në mesin e tyre tri agjensione turistike si dhe një banesë.

Gjatë kontrollimit thuhet se është bërë arrestimi i dy personave të dyshuar të përfshirë në këtë rast si dhe është bërë konfiskimi i tri shtëpizave të kompjuterëve, tre telefonave mobil, dhe disa dokumenteve të cilat ndërlidhen me rastin, transmeton GazetaMetro.

Në këtë drejtim, Policia e Kosovës bën të ditur se personat e dyshuar të arrestuar në këtë operacion janë: R.I – M/SH/K viti i lindjes 1990, si dhe A.D – F/SH/K viti i lindjes 1995.

“Si pasojë e veprimeve të të dyshuarve dyshohet se janë dëmtuar disa agjensione turistike dhe rreth 27 (njëzet e shtatë) qytetarë nga regjionet e ndryshme të Kosovës si dhe nga diaspora. Dyshohet se numri i personave të dëmtuar nga ky rast mund të jetë më i madh, andaj apelojmë tek të gjithë qytetarët që janë viktima të mundshme të mashtrimit nga personat e dyshuar të lartëcekur të lajmërohen në polici”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pas intervistimit, theksohet më tej, me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarve iu është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.