09.09.2019, 10:36

Kandidati për kryeministër të Kosovës para gjykatës për mashtrim me viza

Kryetari i Partisë Euroatlantike e Kosovës, Milaim Zeka është nominuar dje zyrtarisht për kryeministër të vendit, por ai sot do të del para trupit Gjykues pasi akuzohet për mashtrim me viza.

Personat që po gjykohen për veprat penale si mashtrimi, shmangia nga tatimi dhe pastrimi i parave janë: Milaim Zeka, Ilir Krasniqi dhe Edmon Kërliu.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të pandehurit, Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht të pandehurit e lartcekur më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin, si agjencion punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, ashtu që të pandehurit kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.

LEXO EDHE:  Për 24 orë, 29 aksidente e mbi 15 arrestime

Sipas Prokurorisë Milaim Zeka dhe Ilir Krasniqi po akuzohen si bashkëkryerës për veprën penale mashtrimi si dhe ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale shmangia nga tatimi.

Gjithashtu, të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, sipas Prokurorisë kanë kryer veprën penale pastrimi i parave lidhur me veprat penale mashtrimi dhe shmangia nga tatimi.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.