Ish-polici, Shefki Spahiu i dënuar me burgim të përjetshëm pendohet për vrasjen e 32-vjeçarit në kazino në Suharekë

21.05.2021

Në ditën e hënë më 21 shtator, prokurori i rastit, avokati i familjes Aliaj dhe pala mbrojtëse i kishin dhënë fjalët e tyre përfundimtare, gjykata ka shpallur fjalën e fundit të saj kundër ish-rreshterit, Shefki Spahiu, i akuzuar për vrasjen e Jetmir Aliajt në një kazino në Suharekë më 17 mars të vitit 2019. Sipas vendimit […]

Ish-polici, Shefki Spahiu i dënuar me burgim të përjetshëm pendohet për vrasjen e 32-vjeçarit në kazino në Suharekë Foto: Ilustrim

Në ditën e hënë më 21 shtator, prokurori i rastit, avokati i familjes Aliaj dhe pala mbrojtëse i kishin dhënë fjalët e tyre përfundimtare, gjykata ka shpallur fjalën e fundit të saj kundër ish-rreshterit, Shefki Spahiu, i akuzuar për vrasjen e Jetmir Aliajt në një kazino në Suharekë më 17 mars të vitit 2019.

Sipas vendimit të Gjykatës së Prizrenit i akuzuari Shefki Spahiu, shpallet fajtor për vrasjen e Jetmir Aliajt më 17 mars 2019 dhe për këtë dënohet me burg të përjetshëm.

Spahiu ballafaqohet me akuzat për vrasje të rëndë dhe për manipulim me prova. Polici Shefki Spahiu ka qenë i dyshuari kryesor dhe i vetëm për vrasjen e 32 vjeçarit Jetmir Aliaj, në vendin e punës, në një kazino të Suharekës më 17 mars të 2019.

Aktakuza sqaron veprimet e të akuzuarit Shefki Spahiu, ku thuhet se pasi që i akuzuari qëndroi në kazino, papritur duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock”, të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës. “Mbretëresha e provave” e kishte quajtur prokurori Mehdi Sefa, CD-në të cilën e posedon Prokuroria si provë kryesore në këtë çështje.

Sipas dosjes së Prokurorisë për veprën penale manipulim me prova polici Shefki Spahiu akuzohet se me 17 mars të vitit 2019, në Suharekë në kazino “Intacto” që gjendej në rrugën e Reshtanit kishte hequr, shkatërruar, dëmtuar dhe fshehur provat me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të dëshmive në procedurë zyrtare, shkruan SuharekaOnline.

Ndërsa dje mbrojtja e ish-rreshterit të Policisë së Kosovës, Shefki Spahiu, ka kërkuar nga Gjykata Supreme që t’i anuloj vendimet e shkallës së parë dhe të dytë.

Sipas mbrojtjes, Spahiu duhet të dënohet për vrasje të kryer ne gjendje të tronditjes se fortë mendore dhe jo ashtu siç është dënuar për vrasje të rëndë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një kërkesë e tillë nga ana e mbrojtjes është bërë këtë të enjte në seancën e kolegjit të Gjykatës Supreme, të kryesuar nga kryetari i kolegjit, gjyqtari Enver Peci.

“Mbrojtja i ka propozuar Gjykatës Supreme, që i akuzuari të shpallet fajtor dhe t’i shqiptohet dënim me burgim në pajtim me nenin 180 të Kodit Penal, e ajo është që vrasja është kryer gjendje të tronditjes së fortë mendore, në afekt mendor”, thuhet në ankesën e mbrojtjes që u referua nga gjykatësja raportuese Valdete Daka.

Mbrojtja po pretendon se gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë, kanë bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje të ligjit penal dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Po ashtu, mbrojtja në ankesën e ushtruar e ka atakuar edhe vendimin mbi dënim duke theksuar se shkalla e parë dhe Apeli e kishin paragjykuar këtë çështje.

Në fund ai propozoi nga gjykata që çështjen ta kthej në rigjykim dhe i akuzuari të shpallet fajtor për veprën penale nga neni 180 të KPRK-së,

“Kam propozuar që të anulohen të dyja aktgjykimet, në rigjykim, mbi bazat ligjore. Kam thënë që të shpallet fajtor në pajtim me nenin 180, po e përsëris se kur kom thënë kështu, kom thënë në kontest të asaj mungese edhe unë të provave, por e vetmja zgjidhje ka qenë për neve, deri sa nuk na është dhënë mundësia ta vazhdojmë këtë fakt, të bazohemi edhe në këtë çështje”, tha ai.

Fjalët e mbrojtësit të tij i ka mbështetur edhe i akuzuari Spahiu, i cili ka shprehur keqardhje dhe ka kërkuar falje për atë që ka ndodhur.

“Qëndroj mbrapa fjalëve të avokatit i kom deklaruar të gjitha, shpreh keqardhje më vjen shumë keq, rasti nuk ka ndodh me ndonjë planifikim, ka ndodh për shkak të gjendjes së rëndë, u kërkoj falje familjarëve gjykatës dhe të gjithë popullit”, tha i akuzuari Spahiu.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Arben Ramadani, Gjykatës Supreme i ka propozuar që aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë t’i vërtetojë si të bazuara.

“Gjykata e shkallës së parë dhe të dytë i ka peshu në maksimum si rrethana posaçërisht dhe posaçërisht rënduese, dhe ka ardhur deri te një vendim sikur që e kemi rastin e gjykum, dhe përfundimisht e dëgjova edhe avokatin se vetëm tani po kërkon falje ose në seancën përfundimtare të gjykimit. Po konsideroj se kjo është shumë e vonshme dhe të familja e të dëmtuarit hala qëndron raporti i acarun dhe pa kërkim falje nga ana e të akuzuarit dhe familjes së tij”, tha avokati Ramadani.

Ndërsa babi i të ndjerit J.A, ka shprehur mllefin e tij ndaj të akuzuarit, Spahiu.

“40 vjet i kom qu dy gishta për me ardh këta në pushtet, po nuk i kom qu dy gishta për me ma vra djalin, spo e ceki. Ma ka tha gojën e fmive. As Arkanit nuk ja kanë bo këto shka na kanë bo neve. More ti djalë ma ke vra djalin, ishalla zoti edhe kërkujna nuk ja bon. Ja ke tha gojën e fmive, qysh spo ju vjen marre, a keni gjynah”, tha ai.

Paraprakisht, gjykatësja Valdete Daka tha se Prokurori i Shtetit ka kërkuar që të refuzuar ankesa e mbrojtjes. /BetimipërDrejtësi/