Dështon seanca ndaj të akuzuarit se e kishte goditur me thikë të dëmtuarin në Suharekë

Dështon seanca ndaj të akuzuarit se e kishte goditur me thikë të dëmtuarin në Suharekë
Taulant Krasniqi

15.08.2019 / Kronika

Mungesa e të dëmtuarit, Ledion Krasniqi, dëshmitarit okular Ali Kryeziu, si dhe e ekspertit mjekoligjor, Flamur Dylhasi, ka bërë që të dështojë seanca ndaj të akuzuarit për lëndim të rëndë trupor, Arian Shala, e paraparë të mbahet të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Artan Sejrani, ka deklaruar se për të dëmtuarin Krasniqi, gjykata nuk ka fakte se është ftuar në mënyrë të rregullt, ndërsa eksperti mjekoligjor, Flamur Dylhasi, sipas tij, është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Sa i përket dëshmitarit Ali Kryeziu, gjykatësi tha se ka prova, të cilat i ka siguruar nga Stacioni Policor në Suharekë, se i njëjti tashmë jeton në Gjermani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Genc Nixha, i ka propozuar gjykatës që mjeku ligjor dhe eksperti të ftohen edhe njëherë me ftesa të rregullta.

Prezent në seancën e së enjtes, kanë qenë i pandehuri Arian Shala dhe përfaqësuesi i tij, avokati Skender Morina.

Shqyrtimi i radhës për këtë çështje është caktuar më 24 shtator 2019, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 dhjetor 2017, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Arian Shala, akuzohet se më 11 tetor 2017, rreth orës 12:00, në afërsi të stacionit të autobusëve në Suharekë, ka sulmuar të dëmtuarin, Ledion Krasniqi.

Në aktakuzë thuhet se vepra ka ndodhur në atë mënyrë që derisa i pandehuri ka qenë në shoqëri me vëllain e tij, të mitur A.Sh, dhe disa shokëve të tjerë, si rrjedhojë e një mosmarrëveshje paraprake që kishte i dëmtuari me vëllain e të pandehurit.

Ata e sulmojnë të dëmtuarin me një thikë, duke i shkaktuar kështu lëndime të rënda trupore, në atë mënyrë që pasi takojnë atë në afërsi të stacionit të autobusëve në Suharekë, e godasin të dëmtuarin, duke i shkaktuar plagë prerëse dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

Me këto veprime, ata dyshohet të kenë kryer veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, nga neni  189 paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1, pika 1.2 e Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi

RAPORTO