Deklarohet i pafajshëm i akuzuari se uzurpoi banesën në Suharekë nga viti 1999

27.05.2021

R.Z është deklaruar i pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar ku akuzohet se ka uzurpuar një banesë në Suharekë nga viti 1999. R.Z akuzohet se për më shumë se 20 vite në mënyrë të kundërligjshme e ka shfrytëzuar banesën e H.H. Deklarimin se është i pafajshëm, R.Z e ka bërë në seancën e shqyrtimit fillestar […]

Deklarohet i pafajshëm i akuzuari se uzurpoi banesën në Suharekë nga viti 1999 Foto: Gjykata Themelore e Prizrenit dega Suharekë / SuharekaOnline

R.Z është deklaruar i pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar ku akuzohet se ka uzurpuar një banesë në Suharekë nga viti 1999.

R.Z akuzohet se për më shumë se 20 vite në mënyrë të kundërligjshme e ka shfrytëzuar banesën e H.H.

Deklarimin se është i pafajshëm, R.Z e ka bërë në seancën e shqyrtimit fillestar të çështjes, të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë.

R.Z akuzohet bazuar në nenin 320, pika 1 të Kodit Penal, ku parashihet dënimi deri në dy vite burgim nëse i njëjti shpallet fajtor.

Gjyqtari i çështjes Qemail Suka ka obliguar të akuzuarin që në afatin prej 30 ditësh të dorëzojë kundërshtimet e tij ndaj akuzës dhe provave, ndërsa shqyrtimin e dytë e ka caktuar më 28 qershor 2021 në orën 10:00.

Të pranishëm në seancë kanë prezantuar prokurori Atnor Skoro, i akuzuari R.Z dhe mbrojtësi i tij avokati Flamur Bllacaku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza e Prokurorisë, e ngritur më 12 qershor të vitit 2020, e ngarkon R.Z se nga viti 1999 në mënyrë të kundërligjshme ka uzurpuar banesën familjare e cila ndodhet në rrugën “Fidanishtja” në Suharekë pronë e të dëmtuarit H.H./BetimipërDrejtësi/