Burri i Shkurte Fejzës paraqitet në gjykatë si paditës, kërkon lirimin e pronave dhe dorëzimin e tyre me masë të sigurisë

Në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, të hënën është mbajtur seanca përgatitore për lëshimin e masës së sigurisë të propozuar nga propozuesi, Hajrush Behluli.

Propozuesi i masës- paditësi Behluli, i cili është burri i këngëtares së njohur Shkurte Fejza, përmes padisë të ushtruar më 1 korrik 2020, ka kërkuar nga i padituri Xh. B., që t‘ia lirojë nga sendet dhe njerëzit parcelat me nr. 02614-0 dhe 02616-0, si dhe ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së përkohshme të sigurisë.

Lidhur me këtë çështje civile, të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë është  mbajt seanca përgatitore, raporton <<Betimi për Drejtësi>>.

Paditësi, propozuesi i masës Hajrush Behluli në deklarimin e tij rreth masës së sigurisë ka deklaruar se mbes në tërësi pranë propozimit të bërë  për caktimin e kësaj mase dhe kërkoj nga gjykata që ta aprovoj, duke ia pamudësuar uzurpatorit që të njëjtën ta përdor, shfrytëzon, sepse sipas tij, ai në mënyrë ligjore i ka blerë këto dy parcela nga ish-pronari.

Kurse përfaqësuesja e të paditurit-kundërpropozuesit të masës, avokatja Ibadete Xhafa-Kuqi ka thënë se e konsideron propozimin të pabazuar pasiqë nuk ekziston rreziku që këto parcela të tjetërsohen, shiten apo ndonjë formë tjetër të ndikoj keq tek realizimi i kërkesës së propozuesit. “I padituri – kundërpropozuesi ka qenë në posedim me mirëbesim deri në ditën kur i është dërguar padia dhe asnjëherë nuk ështe penguar në posedimin e kësaj parcele”, tha ajo.

Gjyqtari i çështjes Selajdin Gollopeni, ka caktuar seancën e terenit, ku do të konstatoj dhe vërtetojë gjendjen faktike, më 23 korrik, në ora 10:30.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.