Akuzohet se vjedhi energjinë elektrike, lëshohet urdhërarrest për qytetarin nga Suhareka

Është lëshuar urdhërarrest ndaj të akuzuarit M.K, të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, i cili akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”.

Deri te ky veprim nga ana e gjykatës ka ardhur pasiqë i akuzuari Kuqi dhe mbrojtësi i tij avokati B.K edhe pse kanë qenë të ftuar përmes procesverbalit të seancës së kaluar, nuk kanë prezantuar në seancë dhe mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Në seancë nuk kanë prezantuar as dëshmitarët A.G dhe  A.B, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari i çëshjtes Lavdim Bajraktari, në prezencën e prokurorit Labinor Jetishi, në mungesë të kushteve ligjore seancën e shqyrtimit kryesor të çështjes e ka shtyrë për kohë të pacaktuar duke kërkuar nga Policia e Kosovës që të ekzekutojnë urdhërarrestin ndaj të akuzuarit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të përpiluar më 30 janar 2018, i akuzuari M.K, akuzohet se më 6 janar 2015 ne Suharekë, në rrugën “Brigada 123”, me qëllim që të përfitoj nga shërbimi komunal përmes rrjetit përques të rrymës, pa autorizim të furnizuesit të autorizuar, ka shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë direkte pa njëhësor elektrik, ashtuqë energjia e shpenzuar nuk është regjistruar, në këtë mënyrë ndërmarrjes së dëmtuar KEDS i ka shkaktuar dëm material.

Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale” nga neni 320 i Kodit Penal.

RAPORTO