Ngritet aktakuzë për personat që rrahën të afërmin e Bali Muharremajt

17.12.2018

Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve A.S., dhe Faruk Muqa, për shkak të veprës penale “Lëndim i rëndë trupor” të KPRK-së. Sipas aktakuzës, të akuzuarit A.S. dhe Faruk Muqa, personit tjetër i shkaktojnë lëndime të rënda trupore me rrezikim të jetës, e që ka rezultuar […]

Ngritet aktakuzë për personat që rrahën të afërmin e Bali Muharremajt Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve A.S., dhe Faruk Muqa, për shkak të veprës penale “Lëndim i rëndë trupor” të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit A.S. dhe Faruk Muqa, personit tjetër i shkaktojnë lëndime të rënda trupore me rrezikim të jetës, e që ka rezultuar me vdekje. Kështu, me datë 07.04.2018 pas orës 02:00, në kafenenë “Vullkani” në fshatin Gjinoc – Komuna e Suharekës, të akuzuarit A.S. dhe Faruk Muqa, duke qenë në shoqëri me disa shokë dhe në gjendje të dehur, pas një fjalosje verbale vijnë deri te konflikti fizik me tashmë të ndjerin Daut Muharremaj.

Daut Muharremaj, kishte shkuar në lokalin që e kishte nën pronësi të tij, që ta marrë qiranë, por aty u godit për vdekje me çekan. 

43-vjeçari kishte jetuar 22 ditë pas përleshjes që e ndodhi në lokalin e tij që gjendjet në fshatin Gjinoc të Suharekës. Kjo përleshje ka ndodhur më 6-7 prill.

Të akuzuarit, e godasin të ndjerin me grushta dhe me mjete të forta në kokë, dhe si pasojë e goditjeve dhe e lëndimeve të marra, i ndjeri bie në gjendje kome.

I ndjeri, pas tretmanit mjekësor dhe qëndrimit në QKUK në Prishtinë, vdes me datë 29.04.2018.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit A.S., dhe Faruk Muqa, kanë kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 189 paragrafi 4 dhe paragrafi 5 lidhur me paragrafin 2 dhe nënparagrafin 2.1. të KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila u vihet në barrë.