66 aksidente trafiku brenda 24 ore, një me fatalitet

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së premte në vendin tonë kanë ndodhur 66 aksidente trafiku.

Policia ka bërë të ditur se dje kanë ndodhur 66 aksidente trafiku, prej të cilave fatkeqësisht një ka përfunduar me fatalitet.

Gjithashtu bëhet e ditur se 32 aksidente kanë përfunduar me persona të lënduar, ndërsa 33 të tjera kanë përfunduar me dëme materiale.

Kujtojmë se dje në autostradën “Ibrahim Rugova” në afërsi të Suharekës kishte ndodhur një vetaksident, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë lënduar.

Rastin në fjalë për SuharekaOnline e ka konfirmuar edhe drejtori i zyrës për media të Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Kelani kishte treguar se në bazë të informacioneve nga mjekët kompetent, si pasojë e vetë aksidentit njëri nga personat e lënduar ka ndërruar jetë.

“Sot rreth orës 10.55h ka ndodhur një aksident me lëndime në autostradën ‘Ibrahim Rugova” në afërsi të Suharekës. Një veturë me targa lokale është vetë aksidentuar, ku në të kanë qenë 4 persona, ku tre prej tyre janë dërguar në emergjencë në Prizren. Njësitet policore janë duke u marrë me rastin”, kishte thënë Kelani.

Për shkak të kushteve atmosferike Policia e Kosovës vazhdimisht është duke apeluar drejtuesit e automjeteve që të shtojnë kujdesin gjatë ngasjes.

RAPORTO