10.07.2019, 11:53

194 nxënës u arrestuan në Kosovë nën dyshimet për përdorim të drogës

Sot është mbajtur takimi konstituiv i Task Forcës kundër Narkotikëve tek të rinjtë dhe siguria në shkolla.

Shefi i Task Forcës Shtetërore për Anti Drogë dhe Siguri në Shkolla, Avdullah Hasani, tha se qëllimi i formimit të kësaj Task Force është mbrojtja e të rinjve nga përdorimi i drogave.

Në këtë takim zyrtarët e institucioneve përgjegjëse informuan Task Forcën lidhur me aktivitetet e deri tanishme dhe masat që propozojnë të zhvillohen në kuadër të Task Forcës dhe fushatës kundër narkotikëve tek të rinjtë.

“Task Forca u krijua duke u bazuar në kërkesën e kryeministrit që institucionet të ofrojnë siguri. Qëllimi i formimit të Taks Forcës është mbrojtja e të rinjve nga përdorimi i drogave”, tha Hasani.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka treguar se vetëm në këtë vit janë arrestuar 984 persona të dyshuar për përdorim të drogës, në mesin e tyre 194 nxënës.

“Aktiviteti ka qenë shumë i madh në fushën e parandalimit te drogave në shkolla dhe jashtë shkollave. Për parandalimin e këtyre dukurive jemi marrë me shumë aktivitete dhe kemi bërë shpërndarjen e fletushkave. Janë arrestuar 984 persona, 194 nxënës, 790 nuk kanë qenë nxënës. Janë bërë 31mijë e 125 vizita kontakte në shkolla, janë kontrolluar 68 mijë persona dhe janë kontrolluar 36 mijë e 659 vetura. Janë mbajtur 565 ligjërata në shkolla dhe 33 mijë e 112 fletushka u janë shpërndarë nxënësve”, tha Qalaj.

LEXO EDHE:  59 aktakuza kundër 67 personave për 24 orë

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se janë të angazhuar që me bashkëpunim të krijojnë një vend më të sigurt për fëmijët.

“E mira e kësaj Task Force është se po bëjmë një bashkëpunim të përbashkët ku fëmijët tanë do të kenë një vend të sigurt. MMPS-ja ka bashkëpunim edhe me policinë e Kosovës”, tha ai.

E, Prokuroja Sevdije Morina tha se gjatë vitit 2019 prokuroritë kanë trajtuar 511 raste të të dyshuarave për përdorim të drogës.

“Gjatë 2019 prokuroritë kanë pranuar 511 raste. Prokurori i Shtetit ka për detyrë hetimin dhe ndjekjen  e veprave penale. Ne merremi edhe me parandalimin e veprave penale , prokuroria përpiqet në forma të ndryshme për dukuritë të cilat shkatërrojnë shoqërinë tonë . Sa i përket luftës kundër narkotikëve, prokuroritë kanë bërë një punë të madhe dhe shpresoj që nga ky takim të dalim me një qëndrim të përbashkët dhe të flasim për gjëra pozitive. Prokurori i Shtetit është i vendosur që të luftoj kundër këtyre dukurive”, tha Morina.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.