28.08.2019, 15:47

Suharekë: Mbahet takimi i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, thuhet se po keqpërdoren pyjet

Në sallën e Bordit të Drejtorëve në Komunën e Suharekës, sot u mbajt mbledhja e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.

Kjo mbledhje e KKSB-së u mbajt me disa pika të rendit të ditës siç janë:
1. Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar;
2. Trajtimi i mbrojtjeve tё pyjeve nga dëmtuesit ilegal;
3. Vetëdijesim nga minat dhe mjeteve tjera tё pa shpërthyera nga lufta;
4. Diskutim lidhur me shqetësimin e personave me nevoja te veçanta;
5. Shqyrtimi dhe analizimi i shënjezimit të rrugëve nëpër qytetin e Suharekës;
6. Informatë dhe analizë nga policia e Suharekës për çështjen e vjedhjeve dhe sigurisë së përgjithshme.

Për dëmtimet e pyjeve ka folur zyrtari i Drejtorisë së Bujqësisë, i cili ka thënë se janë në dijeni që ka disa raste të keqpërdorimit të pyjeve, dhe ka thënë se rastet janë të evidentuara dhe janë në gjykatë dhe ka njoftuar se janë në bashkëpunim të plotë me Policinë e Kosovës.

Komandanti i Policisë, ka njoftuar se dallimi me vitin e kaluar është më stabil.

Ndërsa kryetari i Komunës z.Bali Muharremaj, ka thënë se kemi raportime nga qytetarët që po keqpërdoren pyjet, por në bashkëpunim me Policinë, do të mundohemi t’i parandalojmë keqpërdorimet ose prerjet ilegale të pyjeve.

Për këtë pikë u vendos konkluzioni se duhet të vendoset një kioskë (trafik), për sigurinë e pyjeve në vendet ku mendohet se është e arsyeshme.

Edhe në pikën 3 është diskutuar për minat e pashpërthyera nga lufta, ku përfaqësuesi nga FSK ka raportuar se kanë mbajtur dhe janë duke vazhduar me trajnime dhe ligjërata edhe nëpër shkolla, për vetëdijesimin e fëmijëve lidhur me minat.

LEXO EDHE:  Artan Sallauka nga Budakova me projekt për ta futur Kosovën në UNESCO, synohet punësimi i 2 mijë personave

Si konkluzion për këtë pikë doli: Bashkëpunimi në mes të FSK-së dhe shkollave për ligjërata.

Ndërsa në pikën 4, u fol për shqetësimin e personave me nevoja të veçanta, ku u diskutua që të krijohen kushte sa më të mira për këtë kategori të shoqërisë. Ku kryetari Muharremaj, tha se po mundohemi t’i respektojmë të drejtat e tyre si për punësim ashtu edhe në aspektet tjera.

Për shenjat e komunikacionit, të pikës së 5 të rendit të ditës u diskutua nga krytari Muharremaj se jemi duke vazhduar me vendosjen e shenjave të komunikacionit aty ku është e nevojshme. Dhe konkluzion doli se: të vazhdohet me vendosje të shenjave në çdo vend ku kërkohet dhe është e nevojshme për siguri të qytetarëve.

Tek pika 6 dhe e fundit u fol për vjedhjet dhe çështjen e sigurisë në përgjithësi në Komunën e Suharekës. Për këtë ka raportuar komandanti i Policisë në Stacionin Policor të Suharekës z.Milazim Lumi, i cili i ka njoftuar anëtarët e KKSB-së, se ka pasur disa raste të vjedhjeve por se janë më  mirë sesa vitin e kaluar. Aksidente ka pasur, por pa fatalitet fatmirësisht, në muajin Korrik dhe Gusht dhe se situata në përgjithësi e kësaj sezone ka qenë e qetë por me disa raste të ndryshme negative.

Takimin e ka udhëhequr kryetari i Komunës z.Bali Muharremaj, i cili u shpreh se duhet të jemi të gatshëm në situata të tilla dhe se ne si Komunë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës do të jemi në dispozicion çdo herë, në të mirë të qytetarëve.

Takimi u mbyllë në formë të rregullt.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.