01.11.2019, 12:25

Pse nuk u nda çmimi “Ukë Bytyçi” për vitin 2019?!

Me vendim të Kuvendit Komunal të Suharekës në vitin 2011 është marr vendim që në secilin përvjetor të vrasjes së ish-kryetarit të Suharekës, Ukë Bytyçi të ndahet edhe çmimi “Ukë Bytyçi”.

Me 16 gusht të këtij viti duke u bazuar në vendimin e Kuvendit të Komunës për themelimin e çmimit “Ukë Bytyçi” dhe rregullore për procedurat e ndarjes së këtij çmimi, kryetari i Komunës u kishte bërë thirrje të gjithë qytetarëve, institucioneve që të japin propozimet e tyre për çmimin “Ukë Bytyçi”. Të gjithë të interesuarit propozimet e tyre mund ti dorëzonin deri më datën 30 gusht ora 16:00.

Sipas Rregullores për procedurat e ndarjes së çmimit “Ukë Bytyҫi”, Neni 5, thuhet se ky çmim duhet të ndahet me ceremoni e mbledhje solemne të Kuvendit Komunal të Suharekës nga kryetari i komunës.

LEXO EDHE:  Rritet siguria për qytetarët e Komunës së Suharekës

Ndarja duhet të bëhet pasi janë paraqitur dy muaj më herët. Por, në rast se propozimet nuk janë të kompletuara, komisioni i cili krijohet për këtë çmim, duhet të kërkojë me shkrim që brenda tetë ditësh nga marrja e njoftimit të bëjnë plotësimin e propozimit, ose hiqet dorë nga ai propozim.

Për dallim nga viti i kaluar ku çmimi “Ukë Bytyçi” i është ndarë asokohe deputetit nga Suhareka, Blerim Kuçi, këtë vit Komuna e Suharekës nuk e ka ndar çmimin.

Zyra e kryetarit të Komunës së Suharekës në përgjigjen për SuharekaOnline ka treguar se edhe pse Komuna e Suharekës kishte bërë thirrje tri herë për propozime në asnjërën prej thirrjeve nuk kishte ardhur asnjë propozim dhe si rrjedhojë e kësaj këtë vit nuk është ndarë çmimi “Ukë Bytyçi”.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.