Ngritët aktakuzë ndaj të dyshuarit që dhunoi 18 vjeçarën me të meta mendore

28.05.2024

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me iniciale Xh.D., nga fshati Dubravë i Komunës së Ferizajt, i cili dyshohet se ka dhunuar një 18 vjeçare të sëmurë psikikisht. I pandehuri gjendet në paraburgim dhe sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dyshohet për veprën penale “Dhunimi”.

Ngritët aktakuzë ndaj të dyshuarit që dhunoi 18 vjeçarën me të meta mendore Foto: Ilustrim

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga data 01 e deri më 02 Maj të vitit 2024, në një motel në Ferizaj, i pandehuri Xh.D., me dashje e detyron të dëmtuarën, si viktimë e ndjeshme për shkak të aftësive të kufizuara mendore, që e njëjta të kryej akt seksual pa pëlqim.

“…në atë mënyrë Xh.D fillimisht e josh të dëmtuarën përmes rrjetit social “Facebook” që të takohen, ku e dëmtuara i bindet të pandehurit dhe i njëjti e hipë në veturë dhe duke e parë dhe qenë i vetëdijshëm për gjendjen e saj psikike, me të njëjtën veturë e dërgon të dëmtuarën në motel në Ferizaj dhe gjatë kësaj kohe e detyron të dëmtuarën që të kryej akt seksual disa herë dhe ndaj saj ushtron edhe dhunë fizike, duke i shkaktuar lëndime trupore dhe në fund, i pandehuri me të njëjtën veturë që kishte marr të dëmtuarën e dërgon në të njëjtin vend ku e kishte marr dhe e lë në rrugë. Me këtë ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.2 dhe 4.7 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur të shpallet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet dhe të dënohet sipas ligjit, njofton Prokuroria Themelore e Ferizajt.