U arratis nga burgu, Policia e shpall person në kërkim Faton Hajrizin

06.07.2024

Policia e Kosovës e ka shpallur person në kërkim Faton Hajrizin, i cili është arratisur të shtunën (06.07.2024) nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë.

U arratis nga burgu, Policia e shpall person në kërkim Faton Hajrizin Foto: Ilustrim

Organet e rendit kanë kërkuar nga qytetarët që për çdo informatë që ndërlidhet me Hajrizin apo vendndodhjen e tij, të lajmërojnë Policinë e Kosovës.

“Policia e Kosovës-Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut, me autorizimin të prokurorit të  Prokurorisë Themelore në Mitrovicë,  është autorizuar të publikoj fotografinë e  të arratisurit të poshtë shënuar me shpresë se në bashkëpunim me mediat dhe  qytetarët do të bëhet e mundur lokalizimi dhe arrestimi i personit  të shpallur  në kërkim”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Më tej thuhet se “personi  i shpallur në  kërkim  Faton Hajrizi,  sot me datën 06.07.2024, është raportuar se është arratisur nga Qendra Korrektuese në Smrekovnicë të Vushtrrisë”.

“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që për çdo informatë që ndërlidhet me personin në kërkim apo vendndodhjen e tije, të lajmëroj Policinë e Kosovës. Informatat për personin në kërkim, mund të dërgoni  në Stacionin Policor me të afërt, përmes telefonit apo edhe përmes aplikacionit ‘Lajmëro Policinë’”.

Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës: – 192, – +383 (0)28 532 366-Drejtoria Rajonale  Mitrovicë Jugu.  044/355 108,  E-mail adresa: info@kosovopolice.com.

Ndryshe, Shërbimi Korrektues i Kosovës njoftoi sot se një i burgosur është larguar nga Qendra Korrektuese e Smrekonicës, institucion i tipit të hapur.

Telegrafi nga burimet e veta mëson se i burgosuri është Faton Hajrizi, i dënuar për vrasjen një ushtari rus në vitin 2000.

Për Hajrizin, kjo është hera e nëntë që arrin të largohet nga burgu.

Para pak muajsh, ai kishte rrëfyer se si kishte arritur të arratisej nga edhe nga kampi ushtarak amerikan “Bondsteel”.

Faton Hajrizi në moshën 15 vjeçare, derisa ishte duke shkuar në shkollë ishte fjalosur me një ushtar rus, duke ia marrë armën dhe duke e vrarë.

Ai kishte thënë se vrasjen e ka kryer pasi kishte parë që ushtari rus kishte sharë disa shqiptarë.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se për largimin e tij nga institucioni është përgatitur letërrreshtimi dhe është njoftuar edhe policia.

Lidhur me rastin, deri në përfundim të hetimeve, është suspenduar oficeri i dhomës së vëzhgimit, F.R dhe oficeri i krahut, N.A.