Tri vdekje të dyshimta – policia nis hetimet
Tri raste të vdekjes janë raportuar dje në Policinë e Kosovës – dy në Lipjan e një në Prishtinë.
Në raportin policor bëhet e ditur se mëngjesin e djeshëm, në Lipjan është gjetur pa shenja jete një burrë. Njësitet relevante hetuese kanë dalur në vendin e ngjarjes, bashkë me ato të emergjencës, të cilat kanë konstatuar vdekjen e viktimës.
“Me vendim te prokurorit, trupi i pa jetë dërgohet ne IML për obduksion” bën të ditur policia, teksa njofton se ka nisur hetimet e vdekjes.
Po në Lipjan, një person ka raportuar në polici se ka gjetur pa shenja jete babanë e tij. Viktima u gjet pa shenja jete në tavanin e shtëpisë, shkruan Indeksonline.
Policia ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet përkatëse të policisë dhe ato mjekësore, ku edhe është konstatuar vdekja e viktimës.
Trupi i pajetë është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Në Prishtinë, mbrëmë rreth orës 21:45, u raportua se një grua është gjetur pa shenja jete në banesën e saj.
Edhe në këtë rast, ekipet mjekësore konstatuan vdekjen e viktimës, teksa njësitet relevante nisën hetimet.
“Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion” thuhet në raportin policor.