Prizren, gjuajtën me armë zjarri në natën e “Vitit të Ri”, identifikohen dhe arrestohen dy persona
Dy persona janë arrestuar në Prizren pasi u identifikuan si të përfshirë në një incident të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas informacioneve të siguruara, ngjarja ka ndodhur më 1 janar 2024, rreth orës 00:10. Një video-incizim ka shërbyer si provë kyçe për identifikimin e një të dyshuari mashkull kosovar, i cili shihej duke shtënë me armë në ajër.
Pas identifikimit, i dyshuari është intervistuar nga autoritetet policore. Gjatë intervistës, ai ka pranuar veprimin e tij dhe ka deklaruar se armën e përdorur ia kishte dhënë një shokut të tij.
Në vijim të hetimeve, policia ka kryer një kontroll në shtëpinë e shokut të tij, gjithashtu mashkull kosovar. Gjatë kontrollit, është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë.
Me urdhër të prokurorit kompetent, të dy të dyshuarit janë arrestuar. Pas inicimit të rastit, ata janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.