Policia e Kosovës: Situatë e qetë në pikat kufitare Kosovë-Serbi
Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë se situata në veri është e qetë dhe se nuk është shënuar ndonjë incident në orët e fundit.
“Situatë e qetë, pa incidente”, ka thënë Elshani.
Pikat kufitare në Merdar dhe Bërnjak janë mbyllur mbrëmë pas veprimeve të protestueve serbë, ndërsa në Jarinje vazhdon bllokada për qytetarët me dokumente të Kosovës.
Lidhur me mbylljen e këtyre dy pikave njoftoi vet Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta sot pas orës 18:00, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët. Para pak çastesh, një familjes e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë. Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne”, u shpreh mbrëmë Sveçla.
Ndërkohë, pas mbylljes së Bërnjakut ka reaguar edhe kryediplomatja Donika Gërvalla e cila tha se kjo pikë do të qëndrojë e mbyllyur derisa të largohen personat e maskuar dhe të kthehet lëvizja e lirë.
Ajo u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të ndalojnë presidentin e Serbisë e të mos lejojnë përshkallëzim të situate më tutje.