Policia e Kosovës i arreston katër të dyshuar për trafikim me emigrantë
Katër persona janë arrestuar të dielën nën dyshimin për trafikim me emigrantë. Të dyshuarit, shtetas kosovarë, u kapën në Mitrovicë të Jugut nga Policia duke transportuar pesë shtetas të Jemenit, të cilët kishin për synim t’i dërgonin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Policia theksoi se ka bastisur një shtëpi dhe automjete, si dhe ka sekuestruar të holla dhe automjete.
“Gjatë kontrollit të shtëpisë dhe automjeteve janë gjetur dhe sekuestruar: 6280 €, 7300 lek shqiptare, 140 CHF zvicerane, dhe 4 automjete”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, të arrestuarit janë dërguar në mbajtje, pa dhënë më shumë informacione.
Prej vitit 2015, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë shndërruar në qendër transiti për personat që ikin nga Lindja e Mesme dhe Afrika dhe që synojnë të arrijnë në shtetet e Bashkimit Evropian.
Kosova ka qendra për pranimin e emigrantëve, por shumica e tyre e përdorin këtë shtet vetëm si transit për në BE.
Edhe në të kaluarën, Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuar për trafikim me emigrantë.