Pesë raste të dhunës në familje brenda 24-orëve

04.03.2024

Policia ka raportuar për pesë raste të dhunës në familje vetëm të dielën në Kosovë. Sipas policisë, dy prej rasteve kanë ndodhur në Malishevë, një në Prishtinë, një në Pejë dhe tjetri në Fushë-Kosovë.

Pesë raste të dhunës në familje brenda 24-orëve Foto: Ilustrim

Në Fushë-Kosovë, raportohet se pas një mosmarrëveshjeje midis një burri dhe një gruaje, ata kanë sulmuar fizikisht njëri-tjetrin. “Palëve u është ofruar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, njofton policia.

Për rastin në Prishtinë, raportohet se një burrë është ankuar për dhunë psikike dhe fizike ndaj tij nga dy gra.

“Njëra prej të dyshuarave është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Gjatë mëngjesit të së dielës, një grua ka njoftuar se është sulmuar fizikisht nga një familjar, por ka refuzuar të pranojë trajtim mjekësor. Palët janë intervistuar me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Edhe dy rastet tjera të regjistruara në Malishevë kanë të bëjnë me ushtrimin e dhunës psikike dhe fizike ndaj dy grave. Viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Të dielën është arrestuar edhe një person tjetër në Gjakovë, që dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhunë në familje” më 29 shkurt.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar dy pushka ajrore dhe një pistoletë pa leje. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.