Nëntë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve në Kosovë

07.05.2024

Policia e Kosovës ka theksuar se ka iniciuar nëntë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit.

Nëntë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve në Kosovë Foto: Ilustrim

Policia ka bërë të ditur se në Prishtinë një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj e ka sulmuar fizikisht, e dhunë ka thënë se ka pasur edhe më parë.

Viktima ka njoftuar se nuk ndihet e rrezikuar, e pas intervistimit me dëshirën e saj ka shkuar në strehimore me dy fëmijët e saj. Prokurori është njoftuar për rastin, e rasti u iniciua si “dhunë në familje”.

“Lidhur me rastin, në prezencë të zyrtarit të QPS-së viktima pas intervistimit, me dëshirën e saj ka shkuar në strehimore bashkë me (dy) fëmijët e saj. Lidhur me rastin është informuar prokurori, ndërsa i dyshuari pritet që të intervistohet pasi të sigurohet prezenca e tij. Rasti duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në Obiliq një grua ka raportuar se djali i saj i birësuar, që sipas saj s’ka qëndrueshmëri psikike, i ka shkaktuar dhunë. Me vendim të prokurorit, pas trajtimit mjekësor në psikiatri ai është dërguar në mbajtje.

Edhe në Fushë-Kosovë janë iniciuar dy raste të dhunës e janë arrestuar dy persona, pasi njëri dyshohet se kishte rrahur bashkëshorten dhe vajzën e tij, e i dyshuari tjetër ka sulmuar fizikisht të fejuarën.

Në rastin e parë të dyshuarit i është sekuestruar një armë gjueti që e posedonte me leje. Dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.