Mbyllen 30 biznese “muzikë live” dhe “qendra masazhi” nga Inspektorati

24.06.2024

Nga data 3 qershor deri në datën 8 qershor, është zhvilluar aksioni i inspektimit tek të cilët ushtrojnë veprimtari tregtare si aktivitetet e mirëmbajtjes trupore (qendra masazhi) dhe aktivitete të argëtimit dhe rekreacionit (muzikë nate), nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në kuadër të Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë.

Mbyllen 30 biznese “muzikë live” dhe “qendra masazhi” nga Inspektorati Foto: Ilustrim

Si rezultat i kësaj, janë mbyllur mbi 30 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate.

“Aksioni i përbashkët ka rezultuar me mbyllje të përkohshme të mbi 30 operatorëve ekonomikë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, për shkak të mos regjistrimit të bizneseve si dhe mungesës së pëlqimit/aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike…Ndaj operatorëve ekonomikë që ushtronin veprimtarinë e tyre në kundërshtim me ligjin, janë shqiptuar afër 50 masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftimin nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Aksioni u zhvillua nga Inspektorati i Tregut pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.