Mashtrimet e mundshme ndaj pensionistëve, Policia dhe Prokuroria nisin hetimet

28.05.2024

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me mashtrimet e mundshme ndaj pensionistëve të Kosovës.

Mashtrimet e mundshme ndaj pensionistëve, Policia dhe Prokuroria nisin hetimet Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me mashtrimet e mundshme ndaj pensionistëve të Kosovës.

Kështu është bërë e ditur në njoftimin për media nga PK.

“Policia e Kosovës me datë 13 maj 2024 ka pranuar autorizim nga Prokurori kompetent lidhur me dyshimet mbi mashtrimet e mundshme ndaj pensionistëve të Republikës së Kosovës.

Bazuar në autorizim dhe në informacionet e siguruara, njësitet relevante policore kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për mashtrimet e mundshme ndaj pensionistëve të RKS-së”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka shtuar se është duke i trajtuar të gjitha informacionet relevante, përderisa të gjitha veprimet në vazhdim do t’i ndërmerr në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

“Policia njëkohësisht iu bën thirrje të gjithë qytetarëve/pensionistëve që të mos bien pre e mashtrimeve të mundshme, dhe për çdo rast të dyshuar ta njoftojnë Policinë e Kosovës, në stacionet më të afërta policore apo në numrin (192) dhe info@kosovopolice.com “, thuhet në njoftim.

Ndryshe muaj më parë Ministria e Financave kishte njoftuar pensionistët që të mos bien pre e mashtrimeve, pasi që një numër i konsiderueshëm i tyre kohët e fundit janë duke frekuentuar zyrat e pensioneve, me qëllim të marrjes së vërtetimeve e vendimeve, të nxitur nga persona të papërgjegjshëm për kinse përfitime të shumave material.

“Sipas informatave që kemi siguruar, persona të papërgjegjshëm janë duke kërkuar dokumentacion dhe autorizim nga pensionistët me premtimin se do t’u sigurojnë përfitimin e shumave të caktuara monetare”, thuhet në njoftimin e MF-së.