Konflikt familjar në Ferizaj, 37-vjeçari sulmon vëllain e tij, viktima s’guxon të dalë nga bodrumi

27.01.2024

Konfliktet mes vëllezërve në familjet kosovare, shpeshherë përfundojnë me sharje e ofendime ndaj njëri-tjetrit.

Konflikt familjar në Ferizaj, 37-vjeçari sulmon vëllain e tij, viktima s’guxon të dalë nga bodrumi Foto: Ilustrim

Ata madje me raste eskalojnë në kërcënime e përleshje fizike, duke u dashur kështu intervenimi i Policisë për të zgjidhur telashet.

Një rast i tillë ka ndodhur në një familje në fshatin Nerodime e Ulët në Ferizaj, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht vëllain e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë gjatë ditës së djeshme, ku ka rrëfyer në detaje gjithë atë që ka ndodhur.

Bazuar në dëshminë e 41-vjeçarit, e gjithë ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes, kur i dyshuari e ka sulmuar e më pas e ka ndjekur nga pas, duke e detyruar viktimën që të fshihet në një objekt në fshat.

Menjëherë pas kryerjes së veprës, 37-vjeçari është larguar në drejtim të panjohur, por i njëjti është kthyer në shtëpi dje dhe si pasojë e frikës, viktima  është fshehur në bodrum.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm’.