Konfiskohen dhjetëra 2-she, 1-she e 100-she false të deponuara nga klientët e një banke në Prizren
Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro false vihen përditë në qarkullim në treg.
Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa përveç 2-shes, edhe kartëmonedhat 50-she e 100-she po dalin goxha shpesh të falsifikuara.
Një rast i tillë është raportuar së fundmi nga një zyrtar i një banke në Prizren, i cili ka raportuar për deponimin e disa kartëmonedhave dhe dhjetëra monedhave metalike të dyshuara false nga klientë të ndryshëm së fundmi.
Sinjali ka mësuar se bazuar në denoncimin e tij, bëhet fjalë për 50-she, 100-she, 2 euro, si dhe monedha prej 1 euro.
Paratë e deponuara janë konfiskuar në cilësinë e provave materiale dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti ‘Falsifikim i parasë’.
Ndryshe, falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.